Konjufca: Hormuzi duhet të rihapet sa më shpejt

Konjufca: Hormuzi duhet të rihapet sa më shpejt

20:06, 02/04/2026

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në një takim virtual të nivelit të lartë me mbi 40 ministra të jashtëm nga vende të ndryshme të botës, ku është diskutuar për situatën në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas tij, takimi është zhvilluar me ftesë të Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Konjufca theksoi se në këtë takim është nënvizuar rëndësia e ruajtjes së lirisë së lundrimit dhe mosshfrytëzimit të korridoreve ndërkombëtare për qëllime presioni.

“Në takim u theksua qartë se liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe se koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk mund të përdoren si instrument presioni.”

Ai shtoi se mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare mbeten parime të panegociueshme.

“Mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parime të panegociueshme.”

Shefi i diplomacisë kosovare theksoi se Republika e Kosovës dënon fuqishëm veprimet e Iranit në këtë drejtim.

“Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime.”

Ai nënvizoi se Kosova është në një linjë me partnerët ndërkombëtarë për rihapjen e kësaj rruge strategjike sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt.

“Ne qëndrojmë në linjë me partnerët tanë në thirrjen se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt.”

Konjufca paralajmëroi se ndërprerjet në këtë korridor jetik kanë ndikim të drejtpërdrejtë global, përfshirë edhe Kosovën.

“Ndërprerjet në këto rrugë jetike nuk janë vetëm çështje rajonale, por prekin drejtpërdrejt ekonomitë dhe stabilitetin e shumë vendeve, përfshirë edhe vendin tonë.”

Ai shtoi se këto zhvillime ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, çmimet e energjisë dhe sigurinë ekonomike.

“Ato ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, në çmimet e energjisë dhe në sigurinë ekonomike në përgjithësi.”

Në fund, Konjufca theksoi rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar dhe konfirmoi qëndrimin e Kosovës në krah të partnerëve të saj.

“Për këtë arsye, koordinimi ndërkombëtar dhe një qasje e përbashkët janë thelbësore për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike.”“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetje të partnerëve të saj euroatlantikë dhe në Lindjen e Mesme, për mbrojtjen e lirisë së lundrimit dhe sigurisë ndërkombëtare.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco