Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, e ka kritikuar ashpër ekspozitën e Shkëlzen Gashi, e cila ka shtrembëruar të vërteten e disa masakrave.
Në adresimin e tij, në deklarimet jashtë rendit të ditës për seancën e sotme, ai ka folur si i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, e cila është dëmtuar më se shumti nga ekspozita e Gashit.
Hasani ka thënë se shtrembërimi i së vërtetës për këtë masakër ka qenë i qëllimshëm.
“Sot këtu nuk po flas vetëm si deputet, sot këtu po flas si i mbijetuar i masakrës në burgun e Dubravës, si njeri prej atyre që kanë qenë brenda burgut të Dubravës dhe në burgjet e Serbisë, si njeri që kam parë me sytë e mi çfarë ka bërë shteti serb mbi trupat dhe jetët tona brenda burgut dhe ndaj të burgosurve. Dhe pikërisht sot jam këtu për të thënë një të vërtetë të rëndë. Ajo që është prezantuar në këtë ekspozitë më datën 24 mars 2026 nuk është vetëm gabim, është prezantim i qëllimshëm i deklarimeve të UDB-së të asaj kohe. Kjo është fyerje për viktima, fyerje për të burgosurit dhe të mbijetuarit”, ka thënë Hasani.
Ai ka bërë me dije se kjo ekspozitë ka sjell pasoja për Kosovën.
“Kjo ekspozitë e ‘Integra’ dhe ‘Admovere’ është me pasoja të rënda politike për Kosovën dhe kërkimfalja e Shkëlzenit nuk e riparon dëmin e shkaktuar për shtetin tonë dhe për të vërtetën e masakrës së Dubravës”, ka thënë Hasani, duke kërkuar nxjerrjen e një ligji për “mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai.
© SYRI.net