Analisti Gurakuç Kuçi ka deklaruar se ndeshja e së martës mes Kosovës dhe Turqisë nuk duhet parë vetëm si një përballje sportive, por si një moment që pasqyron raportet e forta mes dy vendeve.
Sipas tij, lidhjet mes Kosovës dhe Turqisë janë ndërtuar ndër vite përmes bashkëpunimit konkret dhe besimit të ndërsjellë. Ai ka theksuar se kjo marrëdhënie reflektohet edhe në fushën e sigurisë dhe politikës, veçanërisht në kuadër të NATO, ku të dyja palët kontribuojnë për paqen në Ballkanin Perëndimor.
Kuçi ka vlerësuar se ndeshja përfaqëson më shumë se 90 minuta lojë, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të respektit dhe afrimit mes dy popujve, jo vetëm në sport, por edhe në ekonomi, turizëm dhe fusha të tjera të bashkëpunimit.
Ai ka bërë thirrje që kjo ngjarje të mos shfrytëzohet për përçarje, duke theksuar se çdo narrativë që synon ndarje është e panevojshme dhe e dëmshme.
Në fund, Kuçi ka rikujtuar se Kosova është ndërtuar me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, duke përfshirë Turqinë, SHBA-në, BE-në dhe Britaninë, që nga njohja ndërkombëtare deri te forcimi i shtetit.
“Për këtë arsye, nuk ka vend për narrativa që ndajnë. Duhet ndalur narrativat hibride nxitëse”, ka deklaruar ai.
© SYRI.net