Janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat me përmbajtje të pasakta të masakrave të ndodhura në Kosovë gjatë luftës - pjesë e një ekspozite, e financuar nga Kuvendi i Kosovës.
Pas reagimeve të shumta mbi të dhëna dhe përmbajtje të pasakta, tabelat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, me autor Shkëlzen Gashi, janë larguar nga sheshi i Prishtinës.
Largimi u bë një ditë pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e saj.
Rama publikoi pamje nga aksioni i ekipeve të kryeqytetit në Facebook, duke shkruar:
“Jo në Prishtinë… Kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze që përdhos dinjitetin e qytetarëve dhe fyen kujtesën kolektive të popullit tonë.”
Lidhur me përmbajtjen e ekspozitës ka reaguar edhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka cilësuar të papranueshme paraqitjen e pasaktë të krimeve të luftës. Sipas tij, në kuadër të ekspozitës janë evidentuar raste ku faktet janë shtrembëruar, duke rrezikuar relativizimin e krimeve dhe përforcimin e narrativave të rreme.
Hoti ka përmendur veçanërisht Masakrën e Krushës së Madhe, ku sipas tij është paraqitur gabimisht se gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen, ndërkohë që në këtë masakër janë vrarë edhe gra, përfshirë shtatzëna.
Edhe autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, ka reaguar duke thënë se të dhënat janë bazuar në listën e hartuar nga Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Natasha Kandiq. Ai ka theksuar se kjo është lista gjithëpërfshirëse që ekziston aktualisht, pasi Kosova ende nuk ka një listë zyrtare të të gjithë të vrarëve gjatë luftës 1998–1999.
Gashi ka shtuar se mospërputhjet në të dhëna, si rasti i Masakrës së Burgut të Dubravës ku disa viktima figurojnë si të armatosur, janë pjesë e listës së HLC-së dhe nuk janë përcaktuar nga organizatorët e ekspozitës. Ai ka përmendur se raste të ngjashme vërehen edhe në Masakrën e Mejës dhe Masakrën e Reçakut.
© SYRI.net