Pak orë para se të zhvillohet seanca e marrjes në pyetje të kandidatëve për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Edi Rama mbledh në një takim privat (tek vila 31) ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, si dhe zëvendësministrat e kësaj ministrie.
Një takim i tillë, në këtë moment, nuk ngjan aspak rastësor. Përkundrazi, ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën e procesit që, të paktën në letër, duhet të jetë një garë e hapur dhe e drejtë.
Pse duhet që kryeministri të ndërhyjë në mënyrë kaq direkte, në të njëjtën ditë kur një komision – i ngritur nën mbikëqyrjen e tij – do të intervistojë kandidatët? A kemi të bëjmë me një proces formal, apo me një vendim të marrë paraprakisht?
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është një nga postet më të ndjeshme në vend. Dhe pikërisht për këtë arsye, veprimet e Edi Ramës japin përshtypjen se gara është thjesht një fasadë, ndërsa vendimi real merret diku tjetër. Në dhomat e errëta të pushtetit dhe ndoshta edhe nën ndikimin e forcave të errëta.
Ndërkohë, roli i Besfort Lamallari nuk ka dyshime që është formal në atë detyrë. Ministri, që në teori duhet të jetë autoriteti kryesor mbi Policinë e Shtetit, shfaqet më shumë si figurë formale, pa peshë reale në vendimmarrje dhe kjo u pa që në momentin kur u emërua në atë post, ku desh u “mbyt”, liroi kollaren, kur mori vesh që ishte bërë ministër.
Në fund, mbetet një pyetje thelbësore: a po zgjidhet drejtuesi i Policisë përmes një procesi konkurrues, apo përmes një vendimi të centralizuar në zyrat e errëta të kryeministrit?
© SYRI.net