Një incident me armë zjarri ka ndodhur sonte në rrugën B, ku një person ka mbetur i plagosur.
Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se personi që ka mbetur i plagosur është zyrtar i IPK’së.
Zëdhënësi i IPK’së, Arbër Beka, ka deklaruar për Reporteri.net se incidenti nuk ndërlidhet me detyrën zyrtare.
“IPK ju konfirmon se nê incidentin e raportuar sot reth orës 21:00 në rrugën “B” në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk ndërlidhet me detyrën zyrtare. Aktualisht policia dhe Prokuroia kanë filluar një hetim për zbardhjen e rasrit ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është indentifikuar”, ka thënë Beka.
Lidhur me gjendjen e tij, janë deklaruar nga Emergjenca.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka deklaruar për Reporteri.net se gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
“Po, është sjellë një i plagosur me armë zjarri në Qendrën Emergjente. Gjendja është stabile për momentin, jashtë rrezikut për jetë. Pas ekzaminimeve në Qendrën Emergjente, do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë”, ka deklaruar Syla.
Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
Ajo tha se Policia është në kërkim të të dyshuarit që tashmë është identifikuar.
“Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri,në rrugën “B” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rasrit ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është indentifikuar”, ka deklaruar Ahmeti.
© SYRI.net