Një rritje e shpejtë e çmimeve të naftës dhe energjisë po reflektohet zinxhir në ekonominë e Kosovës, duke prekur drejtpërdrejt familjet dhe bizneset. Eksperti i ekonomisë Shenoll Muharremi ka ngritur shqetësimin për një përhapje të shpejtë të inflacionit, që sipas tij po merr përmasa alarmante.
Sipas shembullit që ai sjell, çmimi i naftës në vend ka arritur në 1.61 euro për litër, ndërsa ka paralajmërime se mund të shkojë deri në 2.15 euro për litër nëse përkeqësohet situata në Lindjen e Mesme. Sulmet e fundit në zona që prodhojnë naftë dhe gaz kanë ndikuar menjëherë në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës është rritur me rreth 4 për qind brenda natës.
Kjo rritje po reflektohet edhe në Evropë, ku çmimi i gazit ka shënuar rritje të fortë, duke detyruar Bashkimin Evropian të thërrasë një samit për menaxhimin e krizës energjetike.
Ndërkohë, efektet kanë filluar të ndihen konkretisht edhe në jetën e përditshme në Kosovë. Një shkollë ka njoftuar rritjen e çmimit të transportit për nxënësit nga 70 në 90 euro në muaj, një rritje prej afro 30 për qind. Krahasuar me vitin 2021, kur kostoja ishte 50 deri në 60 euro, rritja arrin deri në 80 për qind. Po ashtu është paralajmëruar edhe një rritje prej 5 për qind e tarifave të shkollimit.
Muharremi thekson se këto zhvillime nuk janë të izoluara, por po përhapen në të gjithë sektorët, duke përfshirë ushqimin, shërbimet dhe tregun e punës. Sipas tij, inflacioni është një nga rreziqet më të mëdha për ekonominë dhe kërkon reagim urgjent nga institucionet.
Ai paralajmëron se Kosova ndodhet në një situatë të ndjeshme, me inflacion bazë rreth 6 për qind dhe me mundësi për rritje të mëtejshme të çmimit të energjisë elektrike. Kombinimi i rritjes së çmimit të naftës, energjisë dhe inflacionit të lartë, sipas tij, mund të ketë pasoja serioze për ekonominë e vendit nëse nuk merren masa të shpejta dhe efektive.
© SYRI.net