Shfaqja e grafiteve të fundit në Prishtinë, përfshirë mesazhe si “Poshtë imperializmi amerikan”, po shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e një klime më të gjerë tensioni politik në vend.
Këto mesazhe nuk janë të izoluara. Kohët e fundit në kryeqytet janë parë edhe grafite që lidhen drejtpërdrejt me presidenten Vjosa Osmani, përfshirë mbishkrime kundër saj, por edhe të tjera në formë mbështetjeje si “Vjosa Presidente”, madje pranë zonave të lidhura me kryeministrin Albin Kurti.
Në disa raste, grafitet kanë qenë edhe më të ashpra, duke e paraqitur Osmanin në kontekste negative dhe duke e lidhur me figura ndërkombëtare në mënyrë denigruese.
Kjo valë grafitesh po ndodh në një moment kur marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit janë përkeqësuar ndjeshëm. Mosmarrëveshjet kanë dalë hapur sidomos rreth çështjes së mandatit të presidentit dhe vendimeve institucionale, duke çuar edhe në kriza politike dhe përplasje publike mes tyre.
Situata është tensionuar edhe më shumë pas vendimeve për shpërndarjen e Kuvendit dhe përplasjes në Gjykatën Kushtetuese, që kanë thelluar ndarjen politike në vend.
Në këtë kontekst, grafitet po shihen si reflektim i kësaj përçarjeje. Ato po përdoren si një mënyrë e drejtpërdrejtë për të shprehur mbështetje apo kundërshti ndaj figurave politike, por edhe për të kanalizuar pakënaqësi më të gjera ndaj zhvillimeve në vend.
Pra, ajo që shihet në mure nuk është vetëm vandalizëm. Është një pasqyrë e një klime politike të tensionuar, ku përplasjet në nivel të lartë po reflektohen edhe në hapësirat publike të qytetit.
© SYRI.net