Nga QKUK kanë dhënë detaje në lidhje me rastin e 5-vjeçarit nga Lipjani, i cili u dërgua me lëndime trupore.
Rasti fillimisht u raportua në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovë. Të dy prindërit e 5 vjeçarit janë arrestuar dyshohen për veprën penale “Shkelja e detyrimeve familjare”
Mirlinda Qyqalla nga zyra për media e QKUK-së, ka thënë për gazetën online Reporteri.net se 5 vjeçari, nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF atje, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, “të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze”.
Qyqalla tha se në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me vështirësi në komunikim, si dhe kishte dyshim për kequshqyerje.
“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim në përgjigjen e QKUK-së”, tha ajo.
Tutje thuhet se menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.
Nga QKUK-ja kanë thënë se duke pasur parasysh dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, siç thuhet, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.
“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin. Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale”, tha Qyqalla.
© SYRI.net