Kryeministri Albin Kurti pas takimit që pati sot në mëngjes me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në një konferencë për media tha se procesi i zbatimit të ligjeve për të huajt dhe për automjete do të bëhet në koordinim të ngushtë me Sorensenin dhe serbët lokalë.
Ai tha se asnjë qytetar të mos druhet nga ligji për të huajt.
“Qëllimi final i inkorporimit nuk është zvogëlim i cilësdo të drejtë, por fuqizim i tyre. Rrjedhimisht asnjë qytetar i Kosovës nuk e ka arsyen më të vogël që t’i druhet këtij inkorporimi, por t’i gëzohet benefiteve nga i gjithë ky proces. I gjithë ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialog, por edhe në koordinim të vazhdueshëm me serbët lokalë. Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët serbë të besojnë në përfitimiet nga procesi dhe detyrimet që burojnë nga marrëveshjet e Brukselit dhe korniza ligjore e Kosovës”.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, tha Kurti.
Kurti ka shtuar se për tre muaj qytetarët serbë do të mund të regjistrojnë gjendjen civile.
“Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të “regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, ka deklaruar Kurti.
© SYRI.net