Biznesmeni dhe veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka reaguar ashpër ndaj afrimit politik mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vučić, duke e cilësuar të pakuptueshme lidhjen e vazhdueshme mes Tiranës dhe Beogradit në proceset që lidhen me integrimin europian.
Bajraktari, i cili prej dekadash njihet si një ndër lobistët dhe veprimtarët më të rëndësishëm të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shprehet kritik ndaj editorialit të përbashkët të Ramës dhe Vuçiçit në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku dy liderët propozojnë një model anëtarësimi me faza në Bashkimin Europian pa të drejtë vetoje. Sipas tij, Shqipëria duhet të ecë drejt integrimit në Bashkimin Europian si një shtet i pavarur dhe dinjitoz, e jo e lidhur politikisht me Serbinë, një vend që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të përbëjë kërcënim për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në reagimin e tij publik, Bajraktari thekson se Shqipëria nuk i detyrohet asgjë Serbisë dhe se kryeministri Rama nuk ka arsye të paraqitet në Bruksel “dorë për dore” me Vuçiçin. Ai kujton gjithashtu se historia ka treguar se afrimet politike me Beogradin nuk kanë sjellë përfitime për shqiptarët, duke përmendur marrëdhëniet që kanë pasur me Serbinë udhëheqës si Enver Hoxha dhe Fatos Nano.
Sipas tij, prioriteti i qeverisë shqiptare duhet të jenë problemet e brendshme, si forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i institucioneve demokratike. Bajraktari nënvizon se integrimi europian nuk arrihet përmes projekteve të paqarta rajonale, por përmes reformave reale dhe standardeve që kërkon Bashkimi Europian.
Reagimi i Bajraktarit:
Është e pakuptueshme pse Edi Rama nuk po shkëputet dot nga Beogradi dhe Aleksandar Vuçiq. Editoriali i tij i përbashkët me Vuçiqin në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku kërkojnë anëtarësim me faza në BE pa të drejtë vetoje, është absurd. Shqipëria duhet të ecë drejt Bashkimit Europian si shtet dinjitoz dhe i pavarur, jo e lidhur pas Serbisë – një vend që ende nuk e njeh Kosovën dhe vazhdon ta kërcënojë sigurinë e tërë Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria nuk i detyrohet asgjë Serbisë. Edi Rama nuk ka asnjë arsye të shkojë dorë për dore me Vuçiqin në Bruksel. Përkundrazi, historia jonë na paralajmëron për rrezikun e afrimit me Beogradin. Në të kaluarën kemi parë Enver Hoxhën, e më pas Fatos Nanon, që kanë pasur marrëdhënie të afërta me Serbinë, dhe shqiptarët nuk kanë parë asnjë të mirë nga këto “miqësi”. Kosova, shqiptarët në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut e kanë paguar çmimin e politikave agresore serbe.
Sot prioriteti i kryeministrit të Shqipërisë duhet të jenë problemet e brendshme: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, respektimi i demokracisë dhe i institucioneve të pavarura. Integrimi europian nuk fitohet me projekte të mjegullta rajonale të stilit “Rama‑Vuçiq”, por me reforma serioze në Shqipëri.
© SYRI.net