Abdixhiku merr ftesë nga Kurti për çështjen e presidentit: Takohemi pas verdiktit të Kushtetueses

Abdixhiku merr ftesë nga Kurti për çështjen e presidentit: Takohemi pas verdiktit të Kushtetueses

15:16, 13/03/2026

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abduxhiku, ka njoftuar se ka marrë ftesë për takim nga Kryeministri dhe kreu i VV’së, Albin Kurti, për të cilën ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit deri më 31 mars, ashtu që Presidentes dhe Kuvendit u ndalohet çdo veprim deri sa masa të jetë në fuqi.

Abdixhiku ka bërë thirrje që të pritet vendimi i Kushtetueses, duke shtuar se një orë pas verdiktit, mund të takohen sërish.

“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund. Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka shkruar Abdixhiku.

Kurti deklaroi sot se pret që javën e ardhshme të ketë takim me liderët e opozitës, pasi ftesat tha se do t’ua nisë qysh sot.

“Unë besoj që me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe qysh sot do t’u dërgoj ftesa për t’u takuar qysh në fillim të javës së ardhshme”, deklaroi Kurti.

Ai tha se Kosovës tani më së paku i duhen zgjedhjet. Kurti theksoi se është e domosdoshme një marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e presidentit.

“Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit dhe qytetarët presin prej nesh, stabilitet institucional e jo zgjedhje të përsëritura. Nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Kushtetueses dhe të fillojë Kuvendi të punojë. Zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tani se kush e ka shumicën dërmuese, Vetëvendosje ka fituar me 51 përqind dhe çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve dhe nuk besoj se na duhen zgjedhjet e reja për të pasur garë se a do ti kemi 80 deputetë”, tha Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco