Në mbyllje të fjalës së tij në Kuvend, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, një nga pesë anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, akuzoi kryeministrin për mbrojtjen e Ballukut për korrupsion dhe krim të organizuar.
Ai theksoi se me pushtetin që kanë, këta zyrtarë mund të dëmtojnë provat dhe të shmangen gjykimit, ndërkohë që sistemi i drejtësisë përballet me presion të hapur për të mos vendosur përpara përgjegjësisë “majat e ekzekutivit nga ku buron korrupsioni”.
Bylykbashi kërkoi që votimi për heqjen e imunitetit të deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku të jetë i hapur, duke siguruar transparencë totale dhe duke bërë të qartë se askush nuk është mbi ligjin.
Ai paralajmëroi se ky moment është vendimtar për të përcaktuar nëse Shqipëria do të ecë drejt integritetit dhe sundimit të ligjit, apo do të mbetet peng i një sistemi kleptokratik që vjedh votat dhe paratë e qytetarëve.
Pjesë nga deklarata:
Deri në fund, i japin mundësinë kriminelëve të strehohen këtu, ose me pushtetin që kanë, të dëmtojnë provat, të ndikojnë gjykimin para një gjykate të vështirë apo të pamundur për shkak se arritën të dëmtojnë procesin penal dhe gjithë kjo me mburojën dhe bekimin e kryeministrit, i cili është i gatshëm të ushtrojë çdo lloj presioni vetëm e vetëm që sistemi i drejtësisë, me të gjitha problemet që ka, të vendosë përpara drejtësisë majat e sistemit ekzekutiv, nga ku buron gjithë korrupsioni.
Detyrimi juaj këtu është të votoni në mënyrë të hapur. Ky ndryshim, i bërë në vitin 2012, ka qenë krejt i qëllimshëm: që të gjithë shqiptarët ta dinë shumë mirë kush voton pro dhe kush voton kundër heqjes së imunitetit. Ta dinë shumë mirë kush është pro, që edhe deputeti, edhe ministri, edhe zëvendëskryeministri, edhe kryeministri janë të barabartë me ta.
Nëse ka një dyshim të arsyeshëm, të shkojë dhe të përgjigjet përpara drejtësisë, të pastrojë atje emrin dhe reputacionin publik dhe politik, dhe jo të mbrohet këtu.
Të gjithë duhet do t’ju shohin ju me radhë, të gjithë kur të ngrini dorën se si do të votoni. Ky është qëllimi pse votimi është publik: që askush mos të fshihet pas votimit sekret dhe të gjithë shqiptarët të kuptojnë se një moment kaq i rëndësishëm, i cili do të vendosë një precedent, nëse ne do të vazhdojmë në rrugën e duhur, jo vetëm të Kushtetutës, por edhe të asaj që kërkon e gjithë Evropa ku përpiqemi të shkojmë, do të shkojë atje me kokën lart, me integritet, ose me një sistem që mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar të cilët së bashku kanë prodhuar një sistem kleptokratik, i cili vjedh votën, vjedh paranë e shqiptarëve, masakron shpirtin e tyre dhe i largon nga Shqipëria çdo ditë.
© SYRI.net