'Drejtësi me dy standarde' - Mediu: Rama s’pyetet për 13 vite në pushtet, procedohen drejtuesit e opozitës

09:41, 11/03/2026

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se procedimet ndaj tre drejtuesve kryesorë të opozitës në prag të procesit zgjedhor nuk janë rastësi, duke akuzuar qeverinë për standarde të dyfishta në raport me drejtësinë.

I ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syru TV Mediu shtoi se ndërsa ndaj figurave të opozitës ndërmerren hetime, kryeministri Edi Rama nuk është thirrur asnjëherë për t’u pyetur për veprimet e tij gjatë 13 viteve në pushtet.

E ndërsa Rama paraqitet si promotor i sjelljes europiane, realiteti institucional, ekonomik dhe raporti me krimin e korrupsionin në vend tregojnë të kundërtën, nënvizoi Mediu.

“Unë nuk mendoj që është rastësi që domethënë para procesit zgjedhor procedohen tre drejtuesit kryesorë politikë të opozitës.

Asnjë nuk e gjykon Ramën për asnjë gjë që ka bërë në 13 vjet. Pra,  s'ka rëndësi ç'ndodh rreth e rrotull, por për sa kohë që ai është në krye të qeverisë, as nuk thirret për t'u pyetur, domethënë në mënyrë të vazhdueshme konteston ose mban qëndrimet e veta dhe shfaqet si promotori i sjelljes europiane, në një kohë që sjellja është as e botës së tretë, domethënë në sjelljen e tij si kryeministër apo institucionale, apo si situata ekonomike apo po të them edhe në raport me institucionet, me krimin dhe korrupsionin, asnjë vend i botës së tretë nuk mund ta ketë si Shqipëria.

Kjo u përpoq t'i japë një avantazh dhe për t'u justifikuar në opinionin vendas dhe ndërkombëtar, veprimet të cilat ishin të paligjshme në procesin zgjedhor, siç ishte manipulimi i zgjedhjeve, përdorimi i grupeve kriminale në procesin zgjedhor, dhe njëkohësisht edhe i grupit të patronazhistëve për të manipuluar zgjedhjet. 

Në një kohë që veprimet e mazhorancës së sotme janë veprime qartësisht me dy standarte. Domethënë, te njerëzit e interesit të Edi Ramës dhe njerëzit jo të interesit të Edi Ramës, ” nënvizoi Mediu.

Mediu solli në vëmendje edhe rastin e kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, kur tre deputetë të opozitës, përfshirë edhe veten e tij, nuk votuan pro, pasi Ahmetaj nuk kishte lidhje me inceneratorët.

Do ju sjell një moment tjetër. Kur u kërkua heqja e imunitetit të zotit Arben Ahmetaj, kanë qenë tre deputetë të opozitës që nuk kanë votuar për heqjen e imunitetit. Kam qenë unë, zoti Duka dhe zoti Dule. Arsyeja ka qenë sepse avokatët e mi ishin në atë kohë dhe avokatë të zotit Arben Ahmetaj. Dhe arsyeja që ne nuk votuam ishte për faktin sepse në qoftë se në opinionin publik Arben Ahmetaj akuzohej për inceneratorin, në fakt nuk kishte të bënte fare me inceneratorin. Pra ishte targetuar një person që kryeministri nuk e donte dhe në atë kohë, domethënë, u kërkua heqja e imunitetit në mënyrë të menjëhershme dhe arrestimi i tij. Biles kemi bërë dhe diskutim në Kuvend për këtë çështje.

Në përfundim, Mediu thekson se drejtësia duhet të veprojë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit, duke respektuar prezumimin e pafajësisë dhe procedurat ligjore.

Dhe parlamenti duhet të krijojë të gjitha lehtësitë për hetime të plota dhe të ligjshme, duke garantuar ndarjen e pushteteve dhe funksionimin normal të institucioneve.

”Pra, ajo që dua të them është kjo, që drejtësia duhet të veprojë e para njëherë bazuar mbi Kushtetutë, mbi ligj edhe bazuar mbi prezumimin e pafajësisë, sigurinë juridike, edhe domethënë respektimin korrekt të Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal. Vetëm kjo është drejtësi e pavarur. Dhe nga ana tjetër domethënë parlamenti duhet të krijojë të gjitha lehtësitë që i kërkohet nga ana e prokurorisë për ta bërë hetimin sa më të plotë, sa më të gjerë dhe sa më ligjor. Kjo është, domethënë, kjo është ndarja institucionale. Nuk ka as drejtësi ekstremisht të pavarur, nuk ka as pushtet ekzekutiv absolut që mund të ndalojë drejtësinë të veprojë”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco