Qytetarët shqiptarë janë “viktimat” e para të luftës në Lindjen e Mesme. Syri Televizion bëri një vëzhgim në disa qytete kryesore të vendit, ku konstatoi se çmimi i naftës është rritur me deri 20 lekë për litër në vetëm pak ditë.
Në Elbasan, pothuajse në të gjitha pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve, nafta po shitet në kufijtë e 200 lekëve për litër.
Më konkretisht, këtë të martë, një litër naftë shitet midis 190 deri në 198 lekë për litër, ndërsa Euro Diseli shitet deri në 205 lekë për litër.
Shtrenjtim ka pasur edhe çmimi i benzinës, ku aktualisht një litër benzinë tregtohet nga 188 deri në 190 lekë për litër. Rritje e lehtë është vënë re edhe te çmimi i gazit që aktualisht shitet me rreth 55 lek për litër.
Në Korçë, disa pika shesin naftë me rreth 185 lek për litër, ndërsa benzina shitet ende me 178 lek për litër. Por edhe në këtë qark, disa tregtues me pakicë, kanë rritur çmimin e naftës deri në 198 lek për litër naftë dhe 188 lek për litër benzinë, ndërsa gazi po tregtohet deri në 62 lekë për litër.
E njëjta situatë është dhe në Krujë, Lushnje apo Fier, ku çmimet e karburanteve me pakicë janë rritur nga 173 lekë që ishin dy javë më parë, në rreth 198 lek për litër aktualisht.
Edhe në Tiranë, nafta është rritur fill pas nisjes së luftës në Iran. Aktualisht një litër naftë në pikat e tregtimit me pakicë në Kryeqytet, shitet deri në 198 lek për litër, ndërsa nafta premium shitet deri në 205 lek për litër. Benzina ka pësuar rritje me rreth 20 lek, por përsëri mbetet më lirë se nafta.
Ndërsa trendit rritës pritet të vijojë, ata që vujnë pasojat janë qytetarët shqiptarë, të cilët janë lënë njësoj si katër vjet më parë me luftën në Ukrainë, edhe kjo në Lindjen e Mesme, mes “viktimave” jo njerëzore, do të ketë edhe buxhetet e familjeve shqiptare, ku shumica e parave që do u merren qytetarëve do të shkojnë në arkën e shtetit në formën e taksave.
Lexo dhe: Abuzimi - Shtrenjtohet sërish çmimi i naftës në Shqipëri! Një litër shitet për 198 lekë
Ndërkohë, në vendet e rajonit, Kosova ishte e para që mori masa për të normalizuar cmimet, ku ministrja Mimoza Kusari Lila firmosi një urdhër që kufizon nivelin e fitimit për kompanitë e shitjes së hidrokarbureve, ndërsa Serbia ka njoftuar se do të ulë akcizën për karburantet. Edhe në Maqedoninë e Veriut ka pasur rritje të lehtë të çmimeve, por përsëri nafta dhe benzina shiten deri në 70 lek më lirë se në Shqipëri për shkak të numrit të ulët ta taksave që shteti merr ndaj qytetarëve nëpërmjet karburanteve.
© SYRI.net