Gjykata Kushtetuese, të hënën ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja tha se vendimi ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Gjykata vlerësoi se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit u dorëzua nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë, më 7 mars.
Qeveria e Kosovës tha ky vendim krijon hapësirën që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e funksionimit demokratik të institucioneve.
Qeveria ka thënë se pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe “të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze”.
Ndërsa kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masën e përkohshme, është hap i rëndësishëm “për të parandaluar pasoja që mund të dëmtonin funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit”.
Haxhiu ka thënë se në këtë periudhë për shkak të masës së vendosur nga Gjykata, aktiviteti i Kuvendit mbetet i kufizuar.
“Ky vendim krijon hapësirën që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë nga Gjykata Kushtetuese, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet e funksionimit demokratik të institucioneve. Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit. Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze”, thuhet në reagim.
“Presim që brenda afatit të paralajmëruar Gjykata Kushtetuese të japë një vendim përfundimtar që do të mbrojë Kushtetutën, rendin demokratik dhe funksionimin e rregullt të institucioneve të Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se “vendimmarrja për institucionet nuk mund të jetë rezultat i veprimeve të njëanshme, por duhet të respektojë parimet e përfaqësimit demokratik”.
Për vendimin e Kushtetueses foli dje edhe vetë presidentja Osmani.
Osmani ka deklaruar se për dekretin me të cilin shpërndau Kuvendit është konsultuar me dhjetëra juristë.
Ajo tha se të gjithë i kanë dhënë të drejtë.
“Ky nuk ka qenë një vendim që e kam marrë vetë, por pasi kam konsultuar dhjetëra juristë edhe nga kabineti im dhe jashtë tij. Të gjithë njëzëri e kan pas të njëjtin vlerësim”, tha Osmani.
Ajo tha se cilido vendim i Gjykatës për të do të jetë i mirëseardhur.
Duke folur për këtë dekret, ajo tha se “nuk është pejgamber të mos bëj gabime”.
“Unë nuk jam Pejgamber që të mos bëj asnjëherë në jetë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese”, tha Osmani.
“Edhe për president paraprak edhe për kuvend edhe për këtë kryeministër, ka dhjetëra herë që e kanë shkelur Kushtetutën. Përderisa unë jam e bindur vetëm duke u bazuar në interesin publik e kam marrë këtë vendim”, shtoi ajo për dekretin e nxjerrë nga ajo.
Presidentja e vendit , Vjosa Osmani të premten ka nxjerrë dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë siç tha ajo, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.
Osmani tha që kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme.
“Jam para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta dërgojnë vendin në zgjedhje. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës. Sot në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit. Në një Republikë Kushtetuese ka diçka që është mbipartiake, është Kushtetuta e vendit”, tha Osmani.
Në seancën e së enjtes për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi e ka ndalur procesin e zgjedhjes, si pasojë e mungesës së kuorumit të nevojshëm.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka ndërprerë seancën dhe ka njoftuar se kjo seancë do të vazhdojë në të ardhmen po qe se plotësohen kushtet.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht s’i kemi 2/3 e deputetëve”, ka thënë ajo.
Pas kësaj, Haxhiu ka njoftuar se menjëherë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
© SYRI.net