‘Vendimi i Kushtetueses jep pak kohë’/ Osmani zbulon lëvizjen pas 4 prillit dhe të ardhmen e saj politike

22:09, 09/03/2026

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do të vendosë për të ardhmen e saj politike pas datës 4 prill, kur edhe i përfundon mandati në këtë pozitë.

Në intervistën ekskluzive në Çim Peka LiveSYRI TV, Osmani theksoi se çdo hap i ardhshëm do të bazohet ekskluzivisht në atë që ajo e konsideron "interesin më të madh të Republikës së Kosovës".

Sipas Osmanit, deri më 4 prill, ajo do të vazhdojë të kryejë detyrën e presidentes "me nder" dhe pas kësaj date, paralajmëroi se do të bëjë "një vlerësim të ri" të situatës politike për të përcaktuar se cili veprim i shërben më së miri vendit.

"Në bazë të këtij dhe vetëm këtij kriteri, do ta marr vendimin për rrugën përpara," u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se e ardhmja e saj është e lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale.

Në fund të intervistës, Osmani u ndal gjithashtu edhe te vendimi i Gjykatës Kushtetuese për një masë të përkohshme pezullimi të dekretit të saj për shpërndarjen e Parlamentit të Kosovës, pas mosarritjes së kuorumit në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, i cili sipas saj, "jep pak kohë për t'u sqaruar gjërat" para një vendimi përfundimtar.

Në fund Osmani theksoi se përparësi mbetet kontributi për vendin dhe vënia e interesit shtetëror mbi gjithçka tjetër.

Intervista ekskluzive e Presidentes Vjosa Osmani në Çim Peka Live në SYRI TV:

Presidentja Osmani: Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme. Siç e përmenda, ne derisa po e jepnim këtë intervistë edhe erdhi vendimi për masë të përkohshme. Ajo jep pak kohë për t'u sqaruar gjërat dhe përfundimisht Gjykata do ta marrë vendimin e vet. Unë do ta kryej detyrën time me nder si presidente e Republikës së Kosovës deri më datën 4 prill. Pas kësaj, ë, do ta bëj një vlerësim të ri se çka në momentin konkret është vërtetë në interes të Republikës së Kosovës dhe në bazë të këtij dhe vetëm këtij kriteri, do ta marr vendimin për rrugën përpara.

Çim Peka: Çfarë do të thotë se do të jeni aktive në politikë?

Presidentja Osmani: Çfarë do të thotë se do të shoh mundësinë më të mirë që ta ndihmoj Republikën që të ecë përpara. Se cila do të jetë ajo mundësi, varet shumë nga rrethanat. Ju e dini që politika nganjëherë është e paparashikueshme. Thjesht duhet ta japim kontributin tonë me tërë qenien tonë dhe ta kemi interesin e vendit si parësor. Kjo është më e rëndësishmja.

Çim Peka: Zonja presidente, faleminderit.

Presidentja Osmani: Faleminderit juve.

Çim Peka: Ka qenë kjo intervista ekskluzive me zonjën Vjosa Osmani, presidente e Republikës së Kosovës mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, ku Kosova sërish mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë ju falënderoj që na ndoqët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco