VV e çon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

VV e çon në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

14:10, 09/03/2026

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka njoftuar se kjo parti ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/2026, të datës 6 mars 2026, të Presidentes Vjosa Osmani, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kërkesa është nënshkruar nga 30 deputetë të Kuvendit dhe LVV ka kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar.

Në njoftim, Nagavci ka theksuar se Presidentja nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, dhe çdo veprim jashtë kufijve të përcaktuar me Kushtetutë përbën tejkalim të kompetencave dhe cenim të parimit të ndarjes së pushteteve.

“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka shtuar se përpjekjet për të ushtruar kompetenca jashtë Kushtetutës dëmtojnë rendin kushtetues dhe rrezikojnë funksionimin demokratik të institucioneve. LVV kërkon që Gjykata Kushtetuese të trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të japë vendim sa më shpejt, për të parandaluar çdo cenim të mëtejmë të rendit kushtetues.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco