Kurti për 8 Marsin: Tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, drejtësia e barabartë është përgjegjësi e Republikës

Kurti për 8 Marsin: Tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, drejtësia e barabartë është përgjegjësi e Republikës

12:14, 09/03/2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se drejtësia e barabartë nuk është parim abstrakt, por përgjegjësi konkrete e Republikës së Kosovës.

Ai theksoi se drejtësia e barabartë nënkupton zbatim të plotë të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj në çdo institucion, mos tolerim të dhunës në familje dhe diskriminimit, si dhe ndjekje penale të rasteve të tilla.

“Në ditën ndërkombëtare të gruas flasim për drejtësi të barabartë, jo si një parim abstrakt, por si një përgjegjësi e Republikës së Kosovës. Drejtësia e barabartë në Kosovë do të thotë që të drejtat e garantuara nga kushtetuta dhe ligji të zbatohen plotësisht në çdo gjykatë, në çdo vend pune, në çdo komunë dhe në çdo stacion policie. Do të thotë që dhuna në familje dhe diskriminimi nuk tolerohen, justifikohen ose fshihen, por ndiqen penalisht dhe parandalohen. Do të thotë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë ka qasje të barabartë në arsim dhe mundësi cilësore për jetë dhe karrierë. Drejtësia e barabartë do të thotë që gratë nuk janë vetëm votuese, por edhe vendimmarrëse. Do të thotë përfaqësim i barabartë në politikë, lidership, në institucione publike dhe pjesëmarrje kuptimplote në formësimin e së ardhmes së vendit tonë. Sepse një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nënpërfaqësuar”, tha ai në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi, me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Kurti shtoi se drejtësia e barabartë nënkupton tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, zbatim të urdhrave mbrojtës, mbështetje për të mbijetuarat dhe përgjegjësi për autorët e dhunës, si dhe barazi në paga dhe qasje në shërbime shëndetësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco