Zgjedhja e Presidentit/ Gjoshi: Mazhoranca e çoi Kosovën drejt zgjedhjeve, skenar i një qeverie pa vizion

09:02, 06/03/2026

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit brenda afateve kushtetuese. Seanca e së mërkurës, e cila shihej si mundësia e fundit për të shmangur krizën institucionale, përfundoi pa rezultat, duke ndezur akuza të ashpra politike ndaj mazhorancës qeverisëse.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, i ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, e cilësoi situatën si një "skenar të mirëpërgatitur" nga një qeveri "pa vizion dhe pa mision". Sipas tij, me kalimin e afateve kushtetuese, vendi tashmë është zyrtarisht në rrugën drejt zgjedhjeve.

Betim Gjoshi: Dje ishte një vazhdim i një skenari të një qeverisje, një mazhorance pa vizion edhe pa mision. Pra, duke mos bërë asnjë përpjekje që brenda afateve kushtetuese të dialogojë me të tjerët dhe ta zgjedhë presidentin dhe t'i bëjë Kosovës institucione. Për herë të dytë, domethënë pas zgjedhjeve nacionale, Kosova po dështon që të nxjerrë institucionet të bazuara në rezultatin zgjedhor dhe ajo që e pamë dje ishte një humbje e shansi për Kosovën. Dje njëanshmërisht mazhoranca, Kosovën e çoi drejt zgjedhjeve. Ia humbi mundësinë ditën e fundit që e kishte për ta zgjedhur presidentin, duke... Po s'mund, edhe po të dojë dikush sot, s'mund ta zgjedhë presidentin. Kanë kaluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Kështu që s'ka rrugë tjetër. Përkundër që kjo është e bezdisshme për qytetarët e Kosovës dhe e rëndë, por tashmë besoj qytetarët e Kosovës e kanë lexuar drejt...

Dy kandidatët ishin në ditën e fundit të provimit dhe nuk arritën të kalojnë. Kështu që, kushtetuta është shumë e qartë në këtë segment. Presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para se t'i përfundojë afati presidentit aktual. Ajo datë ka qenë dje dhe mazhoranca ia ka humbur këtë mundësi qytetarëve të Kosovës që të kenë një president të vetin. Tashmë, pa dëshirën e qytetarëve të Kosovës edhe me një skenar të mirëpërgatitur nga qeveria, e cila ka shtatë vite që Kosovën e ka mbajtur në krizë. Se e vetmja mënyrë që di me mbijetuar është kjo e krizës. Pra, unë me më dëshirë sot do të kisha folur se si Kosova po zhvillohet, si po avancon demokracinë, po ne i kemi shtatë vite regres. Edhe ajo e djeshmja ishte pjesë e këtij sulmi të vazhdueshëm që i është bërë rendit kushtetues, demokracisë së Kosovës. E kemi një demokraci më të brishtë, kemi një funksionim më të dobët të institucioneve të Kosovës, e kemi një tendencë që një person t'i kontrollojë të gjitha institucionet në Kosovë. Ne si Parti Demokratike jemi munduar që nga dita e parë t'ia japim kontributin që Kosova të ketë ndërtim të institucioneve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco