OVL-UÇK: Është fyese që në seancën solemne në Kuvend s’u ftuan kategoritë e dala nga lufta

OVL-UÇK: Është fyese që në seancën solemne në Kuvend s’u ftuan kategoritë e dala nga lufta

14:41, 05/03/2026

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj mungesës së përfaqësuesve të kategorive të dala nga lufta në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës kushtuar Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

OVL-UÇK tha se është e papranueshme dhe fyese që burrat dhe gratë që luftuan për liri dhe sakrifikuan gjithçka të mos ftohen në një ceremoni që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre.

Organizata theksoi se ky përjashtim përbën shpërfillje ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe të gjithë atyre që bartën barrën e luftës për liri.

Sipas OVL-UÇK, është paradoksale të flitet për lavdinë e UÇK-së brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë mbeten njerëzit që krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre.

Postimi i plotë:

Është e papranueshme dhe thellësisht fyese që në një seancë solemne të Kuvendi i Republikës së Kosovës kushtuar Epopesë së UÇK-së, të mos ftohen fare përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta.

Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri.

Është paradoksale që të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre.

Kategoritë e dala nga lufta nuk kërkojnë privilegje, por respektin institucional që u takon. Historia e luftës çlirimtare nuk mund të kujtohet duke përjashtuar ata që e bënë atë histori.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco