Avokati Arianit Koci përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se po ofrohet si kundërkandidat i Glauk Konjufca për postin e presidentit, siç thotë ai me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja dhe bllokimi i institucioneve.
Ai ka bërë të ditur se për formalizimin e kandidimit nevojiten 30 nënshkrime deputetësh dhe u ka bërë thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës t’i japin nënshkrimet për plotësimin e kushtit të dy kandidatëve.
“Kosova nuk mund të mbetet vazhdimisht në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash. E di se nuk ka gjasa. Por, për të shmangur zgjedhje të reja dhe bllokimin e institucioneve, po ofrohem si kundërkandidat i Glauk Konjufcës. Mos harroni: me këtë raport të forcave, nuk besoj se edhe pas zgjedhjeve të reja do të ketë ndonjë rezultat që do ta ndryshojë esencialisht gjendjen.
Çka bëjmë nëse VV prap merr rezultat përafërsisht të njëjtë? A duam vazhdimisht të jemi në zgjedhje? Për ta formalizuar kandidimin duhen 30 nënshkrime deputetësh”, ka shkruar ai.
Koci tha se këtë hap po e ndërmerr me vetëdije të plotë, edhe pse mund ta dëmtojë personalisht.
Ai shtoi se nuk ka kontaktuar askënd për t’ia kërkuar votën, duke theksuar se iniciativa synon të shmangë një cikël të ri zgjedhjesh dhe bllokadash institucionale.
“Prandaj, i ftoj deputetët, qoftë të pozitës apo të opozitës, të m’i japin nënshkrimet sot, në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e Presidentit. Me vetëdije dhe vullnet të plotë po e bëj këtë hap, edhe pse e di se mund të më dëmtojë personalisht. Megjithatë, kjo është një iniciativë që vendi të mos hyjë përsëri në cikël zgjedhjesh dhe bllokadash institucionale. Interesi i vendit tim është mbi mua”
“P.S. Askënd nuk e kam kontaktuar për t’ia kërkuar votën. As nuk e thërras. Këtë hap po e bëj si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”, ka shkruar ai në Facebook.
© SYRI.net