Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kjo parti nuk është e interesuar të zhvillojë betejë politike me presidenten Vjosa Osmani, por synon zgjedhjen e presidentit dhe vazhdimin e punës institucionale.
Në një paraqitje në KTV, Nagavci tha se Vetëvendosje është e gatshme të ofrojë 33 nënshkrime për të mbështetur kandidaturën e Osmanit, nëse ajo vendos të garojë. Ajo theksoi se partia e saj është e interesuar që procesi i zgjedhjes së presidentit të përmbyllet sa më shpejt dhe institucionet të vazhdojnë punën.
“Ne nuk jemi të interesuar për betejë politike me zonjën Osmani. Jemi të interesuar të zgjedhim presidenti ne vendit e të vazhdojmë tutje.”, tha ajo.
Sipas saj, VV nuk ka gënjyer kur ka deklaruar se i ka ofruar nënshkrimet për Osmanin. Nagavci shtoi se partia synon të përqendrohet në realizimin e projekteve dhe përmbushjen e premtimeve të dhëna qytetarëve, duke theksuar se Qeveria ka më shumë se një vit mandat përpara.
Nagavci shtoi se nëse Osmani zgjedh të vazhdojë bashkëpunimin me Vetëvendosjen, partia është e gatshme ta diskutojë këtë në kapacitetet përkatëse institucionale.
© SYRI.net