LVV propozon Glauk Konjufca për President, fton opozitën për konsensus

LVV propozon Glauk Konjufca për President, fton opozitën për konsensus

17:05, 04/03/2026

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, të cilat erdhën pas një bllokade mbi dhjetëmujore dhe prodhuan rezultatin më të qartë në historinë e pasluftës, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka njoftuar se do të propozojë ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, për President të vendit.

Sipas njoftimit, pas konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë, procesi i radhës është zgjedhja e Presidentit, për të cilën kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë. LVV thotë se ka ftuar disa herë subjektet opozitare për të propozuar emra konsensualë, por nuk ka marrë propozime konkrete, shkruan Syri.net Kosova.

Partia thekson se zgjedhjet e reja janë të panevojshme dhe se mbetet e hapur për marrëveshje, duke ftuar edhe njëherë opozitën që të propozojë kandidat, me zotimin se do të ofrojë mbështetje me nënshkrime nëse është e nevojshme.

Njoftimi i plotë:

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, që erdhën si rezultat i një bllokade mbi dhjetëmujore, përveçse u mbajtën në një afat të afërt kohor, dhanë gjithashtu rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës. Qytetarët folën fuqishëm kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve.

Në përputhje me këtë rezultat, pa asnjë vonesë u konstituuan dy institucionet themelore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës që kemi përpara është ai i zgjedhjes së Presidentit.

Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar.

Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.

Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca.

Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar. 

Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara.

 

 

 


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco