Nacionale: Andin Hotin si alternativë për president

Nacionale: Andin Hotin si alternativë për president

12:30, 04/03/2026

Emri i Andin Hoti po përmendet si kandidaturë e mundshme për pozitën e Presidentit të Kosovës, në një kohë kur partitë politike po intensifikojnë përpjekjet për të shmangur zgjedhjet e reja.

Burime të Nacionales bëjnë të ditur se fillimisht ishte planifikuar që kandidatura të shkonte me emrin e Glauk Konjufca, por ai ka refuzuar të përfshihet në këtë procedurë. Si pasojë, në radhët e Lëvizja Vetëvendosje po diskutohet tashmë emri i Hotit si alternativë për kreun e shtetit.

Gazeta ka tentuar të marrë një qëndrim nga Hoti lidhur me këtë çështje, por kontakti me ministrin aktual ka qenë i pamundur.

Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj do të bëjë “gjithçka brenda kompetencave” për të shmangur zgjedhjet e reja. Duke folur për takimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ajo theksoi se diskutimet janë intensive me të gjitha palët parlamentare.

“Zoti Abdixhiku është kryetar i një partie me 15 deputetë, andaj diskutimet janë të vazhdueshme me të gjitha palët që do të mund të kontribuonin për t’i shmangur zgjedhjet”, ka thënë Nagavci, duke shtuar se synimi është gjetja e një zgjidhjeje konsensuale.

Nga ana tjetër, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, LDK-ja ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare për President të Kosovës. Zëdhënësi i saj, Besian Mustafa, ka theksuar se partia ka ofruar dy mundësi: zgjedhjen e një figure me pajtim të përgjithshëm ndërpartiak ose arritjen e një marrëveshjeje politike mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Sipas Mustafës, asnjëra prej këtyre alternativave nuk është konkretizuar deri më tani. Ai ka shtuar se LDK-ja nuk është në dijeni për ndonjë kandidaturë të proceduar me nënshkrime, duke rikujtuar se për nominimin nevojiten 30 nënshkrime deputetësh.

“Nuk është problem hezitimi për Osmanin, por nuk kemi asnjë kandidaturë. Duhen 30 nënshkrime; LDK e vetme nuk mund t’i bëjë 30. VV-ja mund të propozojë dy emra, por deri tash asnjë nuk është proceduar”, ka deklaruar Mustafa.

Procesi për zgjedhjen e presidentit mbetet i hapur, ndërsa partitë vazhdojnë konsultimet në përpjekje për të shmangur një krizë të re institucionale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco