Kosova po hyn në orët vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa deri më tani asnjë emër nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme politike apo 30 nënshkrimet e deputetëve për të thirrur seancën zgjedhore. Më 5 prill, presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati, duke e futur skenën politike në një fazë tensioni dhe pazari intensiv, shkruan Syri.net Kosova.
Çfarë po ndodh pas dyerve të mbyllura?
Që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe dalja fituese e Lëvizja Vetëvendosje, gjithë vëmendja është përqendruar tek pyetja kyçe: a do të vazhdojë Osmani në krye të shtetit, apo do të zëvendësohet me një figurë tjetër?
Sipas një burimi të brendshëm të mirëinformuar të Syri.net Kosova, brenda koalicionit LVV–Partia Guxo–Alternativa ka pasur përplasje të forta dhe debate të ashpra për emrin e presidentit.
Burimi bën të ditur se kryetarja e Guxo-s, Donika Gërvalla, ka shprehur hapur ambicien për të marrë postin e presidentes. Por kjo lëvizje është kundërshtuar nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, i cili thuhet se e ka hedhur poshtë këtë opsion.
Përçarje edhe brenda Guxo-s
Tensionet nuk mbarojnë këtu. Sipas të njëjtit burim, qëndrimi i Gërvallës nuk po gjen mbështetje as brenda vetë Guxo-s. Bashkëkryetari i partisë, Faton Peci, raportohet të jetë pro një mandati të ri për Vjosa Osmani.
Madje, gjashtë deputetët e kësaj partie thuhet se janë më të rreshtuar me Pecin sesa me Gërvallën. Në mbledhjen e fundit të kryesisë dhe deputetëve të Guxo-s, sipas burimit, janë zhvilluar debate të forta me kërkesën që partia të mos dalë jashtë linjës së Lëvizja Vetëvendosje, duke qenë partnere në koalicion.
LVV ndryshon strategji – Konjufca dhe një ish-gjyqtar në tavolinë
Në anën tjetër, LVV duket se ka ndryshuar taktikë. Në takimin me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është hedhur në tavolinë emri i Glauk Konjufca për president, si dhe emrat e ish-gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese.Sipas burimeve, Abdixhiku ka shprehur gatishmëri për të diskutuar këta emra.
Ndërkohë, brenda kalkulimeve politike po qarkullon edhe emri i ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, si figurë kompromisi që mund të bashkojë votat e nevojshme.
Në listën e emrave që po qarkullojnë fuqishëm është shtuar edhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu. Ai ka qenë pjesë e vendimit të famshëm të Kushtetueses për rrëzimin e Qeverisë Hoti, një akt që pati pasoja të mëdha politike në vend.
Sipas burimeve të mirëinformuara, emri i Sejdiut po gjen mbështetje të konsiderueshme nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Madje, thuhet se ka mbetur vetëm konfirmimi përfundimtar i qëndrimit të Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës për ta konsoliduar një shumicë të mundshme.
Vija të kuqe nga opozita
Teksa Kurti nuk duket i prirur t’ia lërë edhe një mandat Vjosa Osmani, opozita ka ngritur barriera të qarta. Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur “vija të kuqe” për Osmanin.
Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK do të mbështesë vetëm një kandidat që propozohet prej saj, duke përjashtuar mbështetjen për Osmanin apo për ndonjë emër që vjen nga LVV.
Çfarë thotë Kushtetuta?
Sipas Kushtetutës së Kosovës:
Në dy raundet e para kërkohen 80 vota nga 120 deputetë.
Në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Çdo kandidat duhet të sigurojë paraprakisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.
Me afatin që po afrohet me shpejtësi, pazaret politike, përplasjet e brendshme dhe manovrat taktike po e bëjnë garën për President një betejë të ashpër pushteti – ku asgjë nuk është e sigurt deri në votën e fundit.
© SYRI.net