Dr. i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, ka ngritur alarmin për atë që e quan prodhim të qëllimshëm të panikut në Kosovë, përmes lajmeve të rreme për një kërcënim të mundshëm nga Irani dhe rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve.
Sipas tij, retorika për një sulm të mundshëm ndaj bazës amerikane Camp Bondsteel është fryrë artificialisht nga disa media. Ai thekson se gjithçka nisi nga një postim në një grup në Telegram, ku u bë thirrje që Irani të sulmojë këtë bazë. Kuçi e cilëson këtë si një koment margjinal, që më pas u riciklua me tituj sensacionalë dhe u paraqit si kërcënim real.
Ai thotë se kjo nuk është informim, por amplifikim i rrezikut. Sipas tij, media të caktuara po kërkojnë klikime duke ushqyer frikën e qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, Kuçi e lidh situatën me rritjen e çmimeve të naftës. Ai thotë se po ndiqet i njëjti model si gjatë pandemisë COVID 19. Rritje të menjëhershme, spekulime dhe krijim i mungesës artificiale në treg. Kujton se edhe gjatë pandemisë pati raste kur inspektorati zbuloi depo me produkte të fshehura për të manipuluar çmimet.
Sipas tij, kemi të bëjmë me një logjikë fitimi mbi panikun. Ai kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet.
Kuçi u bën thirrje Komisionit të Pavarur të Mediave, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës që të adresojnë shkeljet e standardeve profesionale dhe manipulimin mediatik. Po ashtu kërkon që organet e hetuesisë dhe autoritetet e tregut të veprojnë konkretisht ndaj spekulimeve me çmime, jo vetëm të japin paralajmërime.
Në fund, ai thekson se manipulimi i frikës është çështje e sigurisë kombëtare. Sipas tij, paniku ekonomik dhe perceptimi i një kërcënimi ushtarak krijojnë terren për destabilizim social dhe dobësim institucional. Ai paralajmëron se nëse kjo situatë nuk trajtohet seriozisht, mund të prodhojë krizë artificiale me pasoja reale për vendin.
© SYRI.net