Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, teksa udhëtonte drejt Tiranës me një grup të konsiderueshëm protestuesish nga qarku i Gjirokastrës, ka zbardhur detaje nga protesta e opozitës, duke e cilësuar atë si një "moment kritik" për regjimin.
Në një intervistë për edicionin e mesditës në Syri Tv, Shehu tha se kjo nuk është thjesht një protestë, por një lëvizje e gjerë popullore dhe një akt rezistence kundër një situate që ai e përshkroi si "tragjike" për shqiptarët.
Ligjvënësi demokrat akuzoi qeverinë për krijimin e një klime varfërie absolute, represioni, mohimi të të drejtave themelore dhe diskriminimi.
"Këto politika kanë detyruar qindra mijëra qytetarë të braktisin vendin," theksoi ai.
Objektivi kryesor i protestës, sipas Shehut, nuk është rrëzimi i një individi specifik, por përballja me sistemin aktual për të rivendosur vlerat thelbësore të demokracisë dhe për të garantuar votën e lirë. "Në qendër të kësaj lëvizjeje është lufta pa kompromis kundër korrupsionit, dominimit të krimit mbi institucionet dhe sigurimi i lirive të qytetarëve," deklaroi deputeti demokrat, duke shtuar se synimi final është rikthimi i Shqipërisë në rrugën e saj europiane.
I pyetur nëse protesta do të mbetet paqësore, Shehu shprehu besimin se pjesëmarrja masive do të jetë garancia kryesore kundër çdo provokimi të mundshëm nga ana e pushtetit. "Do të jetë një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish, me një entuziazëm për t'i dhënë fund sa më shpejt këtij regjimi. Kjo do të jetë një protestë madhështore që nuk do të transmetojë dhunë, por vlerat e një shoqërie demokratike," siguroi ai.
Sipas tij, ky moment përbën një pikë kthese vendimtare dhe një shpresë për të ardhmen e vendit.
Po vijnë drejt Tiranës dhe jemi këtu së bashku, jemi ndërruar në një vend për disa minuta dhe do të vazhdojmë rrugën drejt Tiranës së bashku me një grup jo i vogël, por mjaft i konsiderueshëm të anëtarëve të PD-së, simpatizantëve dhe protestuesve që vijnë nga qarku i Gjirokastrës. Pritet ajo që dihet që është. Është realisht lëvizja popullore, është rezistenca popullore ndaj këtij regjimi i cili ka krijuar vërtet një situatë tragjike për shqiptarët. Ka krijuar një varfëri absolute, një represion, ka krijuar një mohim të të drejtave thelbësore, ka krijuar një diskriminim të një populli të tërë dhe ka detyruar mijëra, dhjetëra mijëra, qindra mijëra njerëz të braktisin Shqipërinë dhe të kërkojnë realisht të jetojnë diku tjetër sepse nën këtë regjim në Shqipëri po bëhet çdo ditë më e padurueshme jetesa.
Do kemi një protestë ku do të paraqitet përsëri pakënaqësia e thellë, përballja me regjimin dhe vullneti dhe dëshira për të rivendosur në Shqipëri vlerat e demokracisë, të vendosi votën e lirë atje ku duhet të jetë dhe të bëjë të mundur që Shqipëria të ndryshojë dhe të futet në rrugën që neve aspirojmë të jetë gjithmonë rrugën europiane e saj, duke pasur si qendër kryesore luftën kundër korrupsionit, korrupsionit, korrupsionit, korrupsionit, dominimit të krimit dhe kontrollit të krimit mbi institucionet, lirisë së njerëzve dhe heqjes së asaj diskriminime që janë të qarta për t'i hapur rrugë zhvillimit linear të Shqipërisë.
Ky është një moment kritik, është një moment kritik në radhë të parë për regjimin. Është një moment kritik për ata që kanë shkelur demokracinë dhe është një moment shprese për ata që aspirojnë rivendosjen e vlerave të demokracisë dhe të të drejtave në Shqipëri dhe padyshim të mirëqenies dhe rrugës europiane. Unë mendoj se është një moment kritik pikërisht, sepse jemi në moment të kalimit tashmë nga një regjim në një lëvizje të madhe kundër regjimit që do të sjelli që në Shqipëri të vendosen përsëri ato vlera demokratike që ne të gjithë i kemi aspiruar, kemi luftuar dhe jemi gati të luftojmë përsëri. Unë shpresoj që ky regjim nuk do guxojë të provokojë me instrumentet e tij edhe protestën e sotme, siç ka bërë gjithë kohës. Unë shpresoj që ky regjim nuk do guxojë ta bëjë më këtë gjë, përpara masivitetit të njerëzve, vendosmërisë së njerëzve, qëndrueshmërisë së njerëzve që do vijnë sot. Do jetë një mori njerëzish, do jetë një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish, me një entuziazëm për të dhënë fund sa më shpejt këtij regjimi që sundon në Shqipëri.
Numri është mjaft i madh. Unë shikoj prurjet nga qarku i Gjirokastrës, shikoj njerëzit që më telefonojnë, njerëzit që kanë ardhur, njerëzit që jemi këtu bashkë. Do jetë një protestë madhështore sot, e cila nuk do transmetojë dhunë, po do transmetojë pikërisht vlerat e një demokracisë dhe vlerat e demokratëve të cilët duan të rivendosin demokracinë në Shqipëri. Rivendosjen e vlerave. Sot unë kam dëgjuar jo të rrëzojmë filanin, nuk shtrohet çështja kështu. Çështja shtrohet të përballemi me këtë regjim dhe t'i hapim rrugën pastaj për votën e lirë, demokracinë dhe njerëzve me votën e lirë të vendosin se kush do të qeverisë nesër. Pra kjo është thelbësorja. Me regjimin përballohet në fillim fare. Përballohet për të çarmatosur regjimin nga armët antidemokratike të tij dhe zhbërjes së votës dhe padyshim për t'i hapur pastaj votës rrugë votës së lirë dhe njerëzve, qytetarëve me votën e lirë të vendosin për të qeverisur ai ose ajo parti ose ai koalicion që ata dëshirojnë të qeverisin.
© SYRI.net