Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, kreu i PD u bëri thirrje shqiptarëve që sot, në orën 18:00, të marshojnë në rrugët e Tiranës në kuadër të asaj “kryengritjes paqësore”.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga qytetarë të diasporës për zhvlerësimin e euros, rritjen e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike, Berisha akuzoi qeverinë për krijimin e një “narkoshteti” që, sipas tij, ka dëmtuar eksportet, turizmin dhe ekonominë e vendit.
Ai theksoi se bashkimi i qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, është i domosdoshëm për të rikthyer zgjedhjet e lira dhe për të ndryshuar situatën aktuale në vend, duke nënvizuar se protesta synon, sipas tij, shpëtimin e Shqipërisë dhe rikthimin e normalitetit demokratik.
Deklarata e plotë:
Edil Pirra: Me zhvlerësimin e madh, çalimin e madh në mjekësi, agrikulturë dhe ngritja në stratosferë e çmimeve të apartamenteve, bëhet edhe më e pamundur kthimi në atdhe. Cila do jetë strategjia për të marrë besimin e diasporës?
Sali Berisha: Ke ngritur një çështje themelore, çështje e cila po shkatërron ekonominë dhe qenien shqiptare dhe ky është narkoshteti.
Shqipëria është i vetmi vend në Europë, i vetmi vend, në të cilin euro zhvlerësohet, kurse në vendet e tjera ka vlerësime minimale.
Në Shqipëri, euro është zhvlerësuar 35%.
Çfarë ka sjellë kjo?
Kjo ka sjellë goditjen masive të eksporteve pasi eksportuesit shqiptarë llogaritë i kanë me euro. Imagjinoje ti, ai që eksporton me euro, po këtu euro këmbehet nga 135 lekë që ishte, këmbehet me 96 lekë, ai falimenton.
Po kështu turizmi, se njerëzit dëgjojnë të ardhurat e aeroportit të Rinasit, të cilat nuk janë turizëm se plazhet tona edhe në korrik, edhe në gusht janë të paktën gjysëm ose çerek bosh.
Ka rënie dramatike turizmi.
Sepse turisti që më parë paguante për këtë mall 100 euro, tani duhet të paguajë 130 euro.
Krahas kësaj, ju jetoni në Itali, një shishe ujë në Shqipëri kushton dy herë më shtrenjtë se në Itali.
Të gjitha çmimet janë rritur dhe ky është efekti i narkoeurove.
Shpërbërja e narkoshtetit, përmbysja e narkoshtetit, prerja me gërshërët e ligjit të gjitha burimeve të parave të drogës është shpëtimit i Shqipërisë, shpëtimi i ekonomisë shqiptare, i eksporteve shqiptare dhe punësimit në Shqipëri.
Ndaj, dhe duke përfunduar këtë bisedë, ftoj çdo qytetar të bashkohet në këtë kryengritje paqësore.
Të bashkohet në këtë mision, i cili do jetë misioni më i çmuar i jetës së tij.
Misioni që do e bëjë krenar atë dhe fëmijët e tij.
Misioni i shpëtimit të Shqipërisë nga kjo rrokullisje e madhe, nga kjo boshatisje e tmerrshme që nuk ka ndodhur kurrë që nga viti 1300, nga kjo damkosje e zezë e emrit.
Nga vendi në të cilin qytetarët vidhen ditë e natë nga qeveritarët, por kreu i organizatës kriminale tani do bëjë ligje mburojë për të mbrojtur vjedhjen, për të dekriminalizuar vjedhjen, për të asgjësuar drejtësinë.
Të bashkohemi me besim se sa më shumë të bashkohemi, aq më tepër i shkurtojmë ditët këtij regjimi.
Nuk është bashkim për Sali Berishën, nuk është bashkim për PD, nuk është bashkim për opozitën, është absolutisht bashkim për shpëtimin e Shqipërië.
Është bashkim për shpëtimin e ëndrrës të çdo shqiptari, për shpëtimin e dinjitetit të çdo shqiptari.
Për rikthimin e zgjedhjeve të lira.
Le të bëjmë zgjedhje të lira ne, siç bën Kosova, e cila ka një rrugë 18-vjeçare në demokraci dhe shkëlqen si shembull me proceset demokratike.
Ndaj le të bashkohemi pavarësisht nga bindjet politike, njerëz që duam të jetojmë me djersën tonë, njerëz që i themi Shqipërisë, Shqipëri, dhe që e duam vendin.
Të bashkohemi në këtë kryengritje paqësore për të rrëzuar këtë regjim një mnutë e më parë, një qeveri teknike, zgjedhje të lira, të votojnë të gjithë për ata që duan, jo nën presionin e patronazhistit terrorist, jo nën presionin e trafikantëve, vrasësve dhe kriminelëve.
Jo nën frikën dhe as në mashtrimin e medieve të paguara nga qeveria.
E patë se si doli nga SPAK-u Sokol Balla, i divorcuar 20 vite më parë nga Lubia, por vazhdonte bashkëvjedhjen me të.
Thuhet se të paktën 10 milionë euro i ka transferuar Lubia tek ai.
E mora këtë si shembull, se po kaq janë Bolino dhe të tjerët.
Pra, të shpëtojmë nga kjo gjendje, nga kjo administratë, nga kjo amalgamë mafioze qeveritaro-mediatike që po shkatërron çdo ditë qenien shqiptare.
Sot, në ora 6, të gjithë të marshojmë rrugëve të Tiranës në kryengritjen tonë paqësore.
© SYRI.net