Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar për disa vepra penale që ndërlidhen me një pronë në Veternik.
Sipas njoftimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet M.M. dhe Z.J., të cilët dyshohen se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë kanë kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti lidhet me një pronë të paluajtshme me sipërfaqe prej 56 ari, e cila ndodhet në Veternik.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë sekuestruar prova materiale, përfshirë një veturë në vlerë prej 50 mijë deri në 60 mijë euro, para në shumën prej 20 mijë euro, dokumente të ndryshme pronësore që dyshohet se janë të falsifikuara, si dhe katër telefona celularë që do të shërbejnë si prova në procedurën e mëtejshme.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve do të ndërmerren veprimet e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet për këtë çështje do të vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës.
© SYRI.net