Policia e Kosovës, përmes njësive të saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ndërmarrë veprime të veçanta hetimore lidhur me një rast të dyshuar për “Marrje të ryshfetit” në Ferizaj.
Sipas njoftimit, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, janë siguruar dëshmi të mjaftueshme se dy persona të dyshuar (meshkuj/kosovarë) kanë pranuar ryshfet në vlerë prej 400 eurosh, me premtimin se do të përshpejtonin procesin e realizimit të një kërkese për furnizim që viktima kishte parashtruar.
Të dyshuarit, sipas Policisë, paratë i kanë pranuar në zyrën e tyre, ndërsa shuma e njëjtë është gjetur dhe sekuestruar në atë zyrë, tek njëri prej tyre.
Në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit janë intervistuar lidhur me veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit.
© SYRI.net