Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka paralajmëruar mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë këtë vit.
Ajo këtë e tha në konferencën për media bashkë me homologun e saj, Glauk Konjufca.
“Biseduam edhe për takimin e përbashkët të dy qeverive dhe besojmë fort që ka ardhur koha që brenda vitit 2026 të mbajmë një takim të përbashkët në Shqipëri ose Kosovë ku do të diskutohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, fushat me interes të përbashkët, janë të gjithë sektorët aty, dhe të gjitha prioritetet tona mes dy qeverive që po implementohen, por edhe mundësitë për marrëveshje të reja”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se mbledhja e fundit mes dy qeverive shqiptare është mbajtur në vitin 2022. Mbledhja e planifikuar për në qershor të vitit 2023, më pas ishte anuluar.
Ndër të tjera, në konferencën e sotme për media, Spiropali ka thënë se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë.
Spiropali tha se kjo nuk është retorikë solidariteti dhe as formulë diplomatike, por është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror.
Kryediplomatja shqiptare tha se Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për zgjerimin e njohjeve në koordinim të vazhdueshëm së bashku krah për krah por edhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
© SYRI.net