Një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të pranishëm në shesh zgjodhën të flisnin nëpërmjet pankartave të ndryshme, duke përçuar mesazhe mjaft të rëndësishme. Mes këtyre pankartave ishte ajo drejtuar kreut të qeverisë Edi Rama dhe rrethit të tij të ngushtë, përfshirë Aleks Soros.
Nga SYRI TV
Protesta e katërt kombëtare e opozitës - e treta brenda vitit 2026 - mbushi sërish bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ mbrëmjen e 20 shkurtit 2026. Përveç fjalimeve të organizatorëve, një numër i konsiderueshëm protestuesish zgjodhën të flisnin përmes pankartave, që këtë herë nuk ishin thjesht kartona me bojë, por aktakuza publike ndaj një pushteti të cilësuar prej tyre si të kalbur nga brenda. Mes këtyre pankartave ishte ajo drejtuar kreut të qeverisë, Edi Rama, dhe rrethit të tij të ngushtë, përfshirë Aleks Soros.

Vlonjatët gjithashtu përcollën një mesazh të prerë për kryeministrin Rama, për premtimet e tij të përsëritura dhe të pambajtura, që sipas tyre janë kthyer në mashtrim kronik politik. Ata i kujtuan se dinjiteti nuk negociohet dhe se qytetarët nuk janë dekor elektoral që shfaqen vetëm në fushata e harrohen sapo mbyllen kutitë.

Nga ana tjetër, protestuesit paralajmërojnë se edhe nëse ndërkombëtarët zgjedhin të heshtin, të relativizojnë apo të bëjnë kompromis me realitetin shqiptar, qytetarët nuk harrojnë. Sipas tyre, memoria kolektive është më e fortë se çdo deklaratë diplomatike dhe më e gjatë se çdo mandat qeverisës.
Përveç asaj që e quajnë vjedhje të parave publike, protestuesit flasin edhe për rrëmbim të vullnetit të votës. Duke iu referuar shprehjes ‘Albanian elections Stalin Style: Matters who counts’, ata e krahasojnë procesin zgjedhor me një farsë ku rezultati, sipas tyre, nuk varet nga qytetarët, por nga mekanizmi i kontrolluar i numërimit. Me fjalë të thjeshta: nuk ka rëndësi kush voton, por kush kontrollon rezultatin. Një akuzë e rëndë që synon thelbin e legjitimitetit të pushtetit.

Ironia nuk kurseu as të ashtuquajturën ministre virtuale ‘Diella’, e prezantuar si mjet për luftën kundër korrupsionit.

Me pankartën ‘AI don’t eliminate corruption’, protestuesit nënvizuan atë që e konsiderojnë paradoks: teknologjia nuk mund të pastrojë një sistem që, sipas tyre, është i zhytur në korrupsion politik. Sipas ironisë së tyre, problemi nuk është mungesa e inteligjencës artificiale, por tepria e arrogancës reale.

Nga zërat në podium deri tek indinjata e çdo protestuesi përballë godinës së kryeministrisë, pasqyrohej një Shqipëri e lodhur nga varfëria, emigrimi dhe pasiguria. Një vend që, sipas tyre, qeveriset nga një pushtet i kapur, i lidhur me interesa të errëta dhe i shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Kjo është Shqipëria që ata pretendojnë se po jetojnë: jo ajo e fasadës dhe propagandës, por ajo e pagave të ulëta, e largimeve masive dhe e një sistemi që, sipas akuzave të tyre, mbijeton mbi manipulimin dhe frikën.


© SYRI.net