Ish-kandidatja për deputete në Shkodër, Senada Mehmeti, ka mbetur e lënduar gjatë protestës së zhvilluar të premten e 20 shkurtit në Tiranë.
Në një deklaratë nga selia blu, Mehmeti, e cila është edhe pedagoge, shfaqet me një plagë në ballë, e shkaktuar nga një goditje që dyshohet të ketë ardhur nga një plumb gome nga Policia.
Sipas dëshmisë së saj, goditja ka qenë e papritur dhe e ka lënë të çorientuar. “Krejt papritur mora një goditje. Në atë momente nuk u ndjeva mirë, po mundohesha që të gjeja një drejtim se ku të dilja,” u shpreh ajo.
Mehmeti shtoi se ndihmën e parë ia ka ofruar deputeti dhe mjeku Bardh Spahia, i cili ndodhej pranë saj në momentin e ngjarjes.
Krejt papritur mora një goditje në këtë drejtim, siç gjykoni edhe vetë dhe në atë momente nuk u ndjeva mirë, po mundohesha që të gjeja një drejtim se ku të dilja, nuk e kuptova se çfarë po më ndodhte dhe shyqyr Zotit në atë moment m’u gjend afër edhe deputeti Bardh Spahia që është edhe doktor, i cili bëri profesionin e tij të doktorit, ndërkohë që kemi një orë që presim ambulancën dhe ambulanca nuk ka ardhur akoma.
Kjo dhunë ndaj meje, e cila ishte e pashpjegueshme, por edhe ndaj çdo qytetari tjetër që është ushtruar sonte, ka vetëm një qëllim, që t'i ndalojë protestat dhe të shkaktojë një lloj frike dhe tek qytetarët e thjeshtë për të ndaluar protestat.
Por ne nuk do t'i ndalojmë protestat, do t'i vazhdojmë ato, që kur mua të më pyesin studentët, zysha për çfarë duhet të qëndrojnë në Shqipëri, t'i jap një përgjigje. Meritokracia, demokracia dhe rinia që qëndron në Shqipëri, për një Shqipëri me shqiptarët.
© SYRI.net