‘S’është parë më herët’, Këlliçi tregon provën e krimit brenda PD: Shenjë e qartë e frikës dhe panikut të Ramës

‘S’është parë më herët’, Këlliçi tregon provën e krimit brenda PD: Shenjë e qartë e frikës dhe panikut të Ramës

21:12, 20/02/2026

Teksa shumë protestues opozitarë janë zhvendosur në selinë blu për t’i shpëtuar gazit lotsjellës, forcat e policisë nuk kanë denjuar që të përdorin sasi masive gazi lotsjellës, i cili ka depërtuar deri në korridoret e brendshme të ndërtesës së PD.

Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, së bashku me kolegun e tij Klevis Balliu, janë parë të hyjnë në seli në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e gazit.

Në një prononcim nga brenda selisë blu, Këlliçi ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar përdorimin e gazit si një “shenjë të qartë të frikës dhe panikut”. Ai hodhi akuza të forta ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, duke i quajtur “banditë” dhe “ushtarë të krimit dhe karteleve të drogës”, që veprojnë me urdhër politik.

Sipas tij, dhuna e ushtruar është tërësisht joproporcionale dhe një akt i paprecedent. “Kjo protestë do të vazhdojë dhe do të radikalizohet edhe më shumë”, deklaroi deputeti, duke garantuar se opozita nuk do të stepet.

Duke treguar para kamerave një bombol gazi lotsjellës të gjetur brenda ambienteve të selisë, Këlliçi e cilësoi hedhjen e tij një shkelje të hapur të ligjit dhe një dhunim të forcës më të madhe opozitare në vend. A

Ai u zotua se asnjë formë intimidimi, nuk do ta ndalë protestën e qytetarëve dhe të Partisë Demokratike.

Kjo tregon panikun që shoqëron sot Edi Ramën, banditin që ka vendosur në krye të Policisë së Shtetit, ushtarin e bandës së Suel Çelës, narkotrafikantin Ilir Proda. Një njeri i njohur gjerësisht nga të gjithë agjencitë ligjzbatuese partnere si ushtar i krimit dhe i karteleve të drogës. Kjo dhunë që ju shihni, ky gaz që shihni, është shenjë e qartë e frikës dhe e panikut që ka kapur sot Edi Ramën dhe gjithë shpurën që e mbron, për shkak të një proteste të jashtëzakonshme në numra, në pjesëmarrje. Ju e shihni tani që ne po flasim, ftoj kamerën, ju lutem të filmoni, nuk ka asnjë arsye.

Vijon Policia e Shtetit të hedhë gaz lotsjellës dhe bombula gazi edhe në ambientet e hyrjes së selisë së Partisë Demokratike. Pak minuta më parë, gjatë kohës kur ju keni bërë raportimin, kur unë kam hyrë së bashku me deputetin Balliu në seli, ka qenë rasti i paprecedent që një djali të ri i kanë, e kanë goditur me bombolën e gazit lotsjellës mbrapa koke dhe është shoqëruar në ambientet e spitalit dhe të urgjencës menjëherë. Ajo që ka ndodhur sot është e paprecedent për sa i përket dhunës së ushtruar dhe masave tërësisht joproporcionale të marra nga Policia e Shtetit.

 Kjo është një tregues i qartë që kjo protestë do të duhet të vazhdojë dhe do të duhet të radikalizohet dhe më shumë. Pra, nëse këta mendojnë se ne sot na kanë stepur, nëse këta mendojnë se kanë arritur të vrasin nervin e protestuesve, i garantoj që do të jemi edhe më të fortë, edhe më reagues, edhe më proporcional ne si Parti Demokratike në raport me këta banditë që sot veshin uniformën e shtetit. Po të shihni, keni jashtë rrethimit të Partisë Demokratike civilë të veshur me uniforma pa numra, pa mjete identifikimi, që presionojnë, rrinë afër dhe tentojnë të marrin dhe të shoqërojnë të rinj dhe protestues të Partisë Demokratike që janë tërësisht paqësorë.

Është shkelje e ligjit, është dhunim i një force politike dhe sigurisht është ndërhyrje në ambientet e brendshme të partisë më të madhe opozitare në vend, ku ju e shihni që këtu ka zonja të nderuara, ka të moshuar, ka të rinj, ka qytetarë që kanë hyrë në selinë e Partisë Demokratike për t'u mbrojtur. Kjo dhunë është e pajustifikueshme, është e pashpjegueshme. Sot ajo që ka ndodhur është e paprecedent për sa i përket masës së gazit që është hedhur, nga frika e madhe e pjesëmarrjes.

Duke qenë se ndodhemi në fillim të muajit të Ramazanit, duke qenë se sot është hapur, është çelur iftari në orën rreth 5:27, në mos gaboj, duke qenë se ka qenë dhe një mot i vështirë, pritshmëritë kanë qenë që protesta të mos kishte pjesëmarrje. Përkundrazi, pjesëmarrja ka qenë rekord, qytetarët kanë dalë dhe kjo tregon motivimin dhe mbështetjen e kësaj thirrje të Partisë Demokratike nga të gjithë qytetarët, kryesisht atyre të Tiranës. Unë ju garantoj që ne do vijojmë. Nuk ka bombol gazi, nuk ka dhunë policore, nuk ka intimidim, nuk ka procedim që ndal protestën e qytetarëve dhe të Partisë Demokratike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco