I riu i cili u vra me thikë pasditen e sotme në zonën e 21 dhjetorit në Tiranë rezulton të ketë qenë punonjës i burgut 313 në kryeqytet.
Emri i tij është lakuar në publik në 2020-ën pasi u kap në flagrancë në tentativë për t’i futur alkool në qeli, të dënuarit Emiljano Shullazi.
Bëhet fjalë për mbrëmjen e vitit të ri 2020, kur personazhi i botës së krimit, Shullazi i kishte kërkuar Pashollarit një nder për të futur në qeli pije alkoolike.
Pavarësisht kësaj, prokurori i rastit në përfundim të hetimeve që zgjatën 16 ditë e mbylli rastin duke thënë se i riu nuk kishte kryer vepër penale pasi alkooli nuk është i dëmshëm për shëndetin.
Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Policia tha zyrtarisht se rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi Egli Pashollari rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
Policia tha se ka identifikuar autorin e ngjarjes, por të dhënat e tij nuk jepen, për shkak se hetimi vijon, ndërsa punohet intensivisht për kapjen e të dyshuarit.
Ndërkaq, grupi hetimor po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të vrasjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.
Më herët, në vitin 2017, në moshën 23-vjeçare, Egli Pashollari ishte arrestuar nga policia e Tiranës pasi u kap me lëndë narkotike.
© SYRI.net