Në një nga momentet më të forta dhe më emocionale të procesit shumëvjeçar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ish-komandanti i Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Rexhep Selimi, mbajti sot fjalën e tij përmbyllëse para Trupit Gjykues, duke e quajtur aktakuzën ndaj tij “tërësisht të pabazuar dhe të padrejtë” dhe duke mbrojtur fuqishëm luftën çlirimtare të Kosovës, shkruan Syri Kosova
Me një ton të qetë, por të vendosur, Selimi tha se nuk ishte ngritur për të mbrojtur veten, por për të kërkuar nga gjyqtarët që ta ushtrojnë drejtësinë mbi bazën e fakteve dhe të vërtetës.
“Pas gjithë këtij rrugëtimi, rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë. Akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta,” deklaroi ai.
Në një pjesë kyçe të fjalimit, Selimi akuzoi Prokurorinë se, në thelb, po përpiqet ta trajtojë vetë luftën për pavarësi si projekt kriminal.
Ai tha se krijohej përshtypja sikur kërkesa për pavarësi po trajtohej si “qëllim i përbashkët kriminal”, duke e quajtur këtë një përpjekje për ta njollosur historinë dhe sakrificën e Kosovës.
“Është e vështirë të kuptohet kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë: kundër nesh për veprime konkrete, apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës,” tha Selimi.
Në një nga deklaratat më të forta të ditës, Selimi u shpreh se nuk ka asnjë pendesë për rolin e tij në luftë.
“Jam i bindur se bëmë gjënë e duhur. Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë,” tha ai, duke shtuar se do të mbetej ushtar i vendit të tij nëse rrethanat do ta kërkonin.
Ai theksoi se UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja për mbijetesë përballë shtypjes dhe dhunës së regjimit serb.
Selimi e cilësoi procesin si një përpjekje për të ndryshuar historinë përmes akuzave, duke thënë se historia e Kosovës është shkruar me sakrificën e qytetarëve dhe dëshmorëve.
Ai përfundoi me një mesazh besimi dhe sfide:
“Kurdo që të kthehem, unë do të kthehem në Kosovën e lirë – në Kosovën për të cilën kam qenë dhe mbetem i gatshëm të jap edhe jetën time.”
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare dhe vendimi i Trupit Gjykues pritet të përcaktojë fatin e tyre pas më shumë se pesë vitesh procedura gjyqësore.
Fjalimi i plotë i Rexhep Selimit në Hagë
I nderuar Trup Gjykues, të nderuar bashkëqytetarë që na përcillni në sallë dhe nga shtëpitë tuaja!
Është hera e tretë dhe shpresoj të jetë hera e fundit që marr fjalën në këtë sallë.
Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga fillimi i këtij procesi gjyqësor.
Këto vite nuk kanë qenë të lehta për ne, as të parëndësishme për historinë e vendit tonë. Megjithatë, le të shërbejë gjithë kjo si një mundësi për drejtësi.
Pas gjithë këtyre viteve, ka edhe një element pozitiv: shpresoj që Trupi Gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për të kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë.
Në fjalën time në këtë sallë në prill të vitit 2023, kur ky proces sapo kishte filluar, thashë se po përballesha me një aktakuzë të pabazuar. Sot, pas gjithë këtij rrugëtimi, rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë. Akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta.
Unë nuk jam ngritur sot për ta mbrojtur veten time. Këtë e bëjnë më së miri avokatët e mi. Nuk jam këtu për t’ju mësuar drejtësinë, sepse ajo është në duart tuaja; jam këtu për t’ju kërkuar ta ushtroni atë.
Edhe pse kanë kaluar gati tre vite nga fillimi i këtij procesi, Prokuroria ka vazhduar të mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për të njollosur një luftë që, në thelb, ishte çlirimtare.
Megjithëse Prokuroria, që në fillim të paraqitjes së fjalës përfundimtare, deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion, shënjestra e saj kryesore ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm, Ushtria Çlirimtare e Kosovës në tërësi dhe, në veçanti, qëllimi i saj themelor: Pavarësia e Kosovës.
Madje, krijohej përshtypja sikur vetë pavarësia po trajtohej si “qëllim i përbashkët kriminal”.
Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, Prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si: “SHP kërkonte pavarësinë”, apo se “SHP publikisht deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë”.
Është e vështirë të kuptohet kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë: kundër nesh për veprime konkrete, apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës? Kjo mbetet për t’u vlerësuar nga Trupi Gjykues.
Po aq problematike është përpjekja e Prokurorisë për ta ndarë shoqërinë e Kosovës në dy kampe: në ata që ishin për pavarësi dhe në ata që ishin për autonomi, sikur të donte me çdo kusht të krijonte përçarje mes qytetarëve të Kosovës.
Për ta ilustruar këtë, po parafrazoj atë që Prokuroria deklaroi në paraqitjen e provave javën e kaluar: “SHP kërkonte pavarësinë e Kosovës. Partitë politike që mbështesnin autonominë konsideroheshin tradhtare.”
Në Kosovë nuk ka pasur asnjë parti politike shqiptare që ishte kundër pavarësisë dhe, rrjedhimisht, asnjë që mbështeste autonomi nën Serbi. Të gjitha partitë politike shqiptare ishin për pavarësinë, ashtu siç ishte edhe qëllimi i UÇK-së.
Ta paraqesësh mbështetjen për pavarësinë si kërkesë radikale dhe autonominë si moderne, është një sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por edhe ndaj të ardhmes së saj.
Sikur Prokuroria përpiqet të na ndajë ne shqiptarëve mes veti dhe ta barazojë UÇK-në me krimet e Serbisë. Askush nuk mund ta bëjë as njërën, as tjetrën.
Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë. Ta barazosh rezistencën e një populli të shtypur me një “plan kriminal” do të thotë të vendosësh në të njëjtin nivel rezistencën e të shtypurit me projektin e shtypësit.
Ky barazim nuk është vetëm i pasaktë, por thellësisht i padrejtë.
Të përpiqesh të ndërhysh me qëllim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave me pretendime të shtrembëruara, është thjesht të përpiqesh ta rishkruash historinë.
E, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi. Historinë e Kosovës e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut.
© SYRI.net