Buxheti për vitin 2026 kritikohet nga opozita

Buxheti për vitin 2026 kritikohet nga opozita

12:12, 16/02/2026

Abdixhiku kritikon buxhetin për vitin 2026

Deputeti dhe kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi projektbuxhetin për vitin 2026. Ai tha se projektbuxheti është edhe jokushtetues, nëse nuk merr parasysh buxhetin e miratuar të Prishtinës.

Abdixhiku në seancën e sotme të Kuvendit tha se buxheti nuk reflekton as strukturën e re qeveritare, as zotimet e dhëna.

“Për ne është e rëndësishme, për LDK-në, që buxheti i Kosovës të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht, ky buxhet nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është e habitshme dhe shqetësuese se si Kuvendit i sillet një dokument që s’e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Së këndejmi, menjëherë bëhet jokushtetues. Sa për rikujtim, Prishtina e ka miratuar buxhetin më 6 shkurt të vitit 2026, ndërsa buxheti i Kosovës është sjellë në Kuvendin e Kosovës për herë të parë më 13 shkurt të vitit 2026. Mos i ngatërroni gjërat me legjislaturën e kaluar, kjo është legjislaturë e re”, tha ai.

Madje, Abdixhiku tha se nëse LDK-së i mohohet buxheti për kryeqytetin, LDK-ja do ta ridefinojë pozicionin e saj në çështje që kërkojnë edhe votat e deputetëve të LDK-së.

“Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave të shumicës, atëherë edhe LDK-ja do ta ridefinojë pozicionin e saj në çështje që kërkojnë numrat tanë në këtë Kuvend”, shtoi Abdixhiku.

Hamza: Nuk dua të besoj se urgjenca për miratimin e buxhetit lidhet me zgjedhjen e presidenti

Deputeti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pyeti mazhorancën në Kuvendin e Kosovës për urgjencën e miratimit të buxhetit me procedura të përshpejtuara.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit tha se për këtë urgjencë i shkojnë në mendje dy gjëra: pamundësia e debatit në Kuvend dhe ndërlidhja me çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Nuk e kuptoj pse kjo urgjencë kaq e madhe. Ne nuk duam dhe nuk lejojmë vonesa, por pse kjo urgjencë kaq e madhe? Vetëm dy arsye më shkojnë ndër mend. E para që t’iu pamundësohet deputetëve që me diskutimet e tyre sigurisht të shprehin kritika dhe të japin propozime dhe alternativa. E dyta, nuk dua të besoj se vendi ka nevojë për institucione dhe stabilitet. Nuk dua të besoj se kjo çështje lidhet me rastin e presidentit apo presidentes”, tha ai.

Buxhetin Hamza e konsideroi si menaxhim të status-quo-së, i cili po ashtu nuk reflekton asnjë premtim të kryeministrit Albin Kurti të shfaqur në ekspozenë e tij më 11 shkurt.

“Është buxhet që menaxhon status-quo-në. Kjo si rezultat i rritjes së shpenzimeve operative dhe po ashtu te transferet dhe subvencionet. Kjo ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurtër dhe si rritje e shpenzimeve rrjedhëse në periudhë afatgjatë e zvogëlon hapësirën për investime kapitale. Këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transfere e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme dhe sigurisht do të ndikojnë në pamundësinë e bazës prodhuese dhe eksportuese. Këtu vërehet se ka mungesë të investimeve për sektorë strategjikë në Kosovë…Shumica prej tyre nuk janë të reflektuara në këtë buxhet. Nuk janë të reflektuara as në vitin 2026 dhe as në vitet vijuese. Diçka që nuk e ka konstruksionin financiar mbetet në nivel të ideve”, shtoi Hamza.

Krahas kësaj, Hamza e konsideroi të domosdoshme edhe përfshirjen në Ligjin e Buxhetit të buxhetit të Komunës së Prishtinës.

Seanca për buxhetin, Murati: Do ta rishikojmë në vitin tjetër

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se posa të miratohet buxheti për vitin 2026, synojnë ta rishikojnë muajin e ardhshëm.

Shefi i kuletës së shtetit tha se buxheti i sivjetshëm vjen më shumë si arsye e emergjencës, pas vonesave dhe krizës politike gjatë tërë vitit të kaluar.

“Në mbledhjen e parë si qeveri e re, që ta procedojmë projektligjin ashtu siç ka qenë, duke mos reflektuar domosdoshmërisht tash për tash ndryshimet e nevojshme për të gjitha prioritetet dhe strukturën e qeverisë, por këtë ta bëjmë në një rishikim të pastajmë. Ky projektligj është ai që është miratuar më 31 tetor të vitit të kaluar, ashtu siç e ka paraparë ligji. Tabelat janë të ngjashme, por e vetmja gjë që ndryshon ka të bëjë me pagën e 13-të, që është paraparë jo në fund të vitit, por të bëhet në fillim të vitit. Çështja tjetër që është paraparë është ndryshimi i tabelave në ligj sa i përket dikastereve, kur qeveria e miraton rregulloren e qeverisë. Do ta sjellim rishikimin sa më shpejt që të jetë i mundur, potencialisht muajin e ardhshëm, pasi të ketë reflektim edhe të dikastereve të qeverisë dhe komunat kanë nevojë ta bëjnë një gjë të tillë.”

Ai në seancën e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i parë i projektbuxhetit tw vitit 2026, tha se buxheti është rreth katër miliardë euro.

“Këto shpenzime ndahen në kategori kësisoj: paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliard e 358 milionë euro si dhe shpenzime kapitale 998.4 milionë euro, 870 milionë euro të financuara nga buxheti i rregullt dhe 100 milionë euro të tjera nga klauzola e investimeve”, shtoi ai.

Mbështetje miratimit të buxhetit në Kuvend i dhanë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetët mblidhen sot për buxhetin 2026

Sot do të vazhdojë seanca për leximin e parë për Projektligjin e Buxhetit 2026.

Kryetarja e Kuvendit , Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se seanca do të vazhdojë me fillim nga ora 10:00.

Seanca për buxhetin u shty për sot për shkak të mospajtimeve mes partive për të vazhduar me votimin e projektligjit javën e kaluar, ku PDK, LDK dhe AAK kërkuan tri ditë afat për analizimin e buxhetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco