Mbrojtja e ish-Kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ka dhënë fjalën përmbyllëse në gjykimin në Hagë.
Avokati i Veselit, Rodney Dixon, kërkoi që ai të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet, duke shtuar se e kundërta do të ishte një padrejtësi e madhe.
“Veseli meriton një vendim të drejtë dhe të duhur. Ai duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Të bëhet ndryshe do të ishte një padrejtësi e madhe”, ka deklaruar Dixon.
Sipas tij, Veseli është tërësisht i pafajshëm dhe Prokuroria nuk ka arritur të konfirmojë asnjë akuzë.
“Dhe, nga ana tjetër ka shumë pika që mund të vërtetojnë që klienti im është tërësisht i pafajshëm. Ne parashtrojmë që parashtrimi i prokurorisë të hidhet krejtësisht poshtë”, ka thënë ai.
Dixon tha se 155 viktimat e përfshira në këtë rast meritojnë “të gjejnë paqe dhe qetësi.
“Është gabim që ZPS të ndjek persona si Veseli në mënyrë të kotë me shpresën se kjo do të sjell një qetësi shpirtërore për viktimat”, ka deklaruar Dixon.
Pas pak do të vazhdojë mbrojtja e Rexhep Selimit me dhënien e deklaratës përfundimtare.
© SYRI.net