Hamza para votimit të Qeverisë Kurti 3: PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës

Hamza para votimit të Qeverisë Kurti 3: PDK do të jetë gardiane e Kushtetutës

22:15, 11/02/2026

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, para votimit të Qeverisë Kurti 3, ka deklaruar se PDK dhe qytetarët presin nga qeveria e re përgjegjësi të plotë në respektimin e Kushtetutës.

Hamza tha se Kosova ka kaluar situata të rrezikshme në vitet e fundit, pasi Kuvendi ka miratuar ligje që më pas janë shpallur antikushtetuese.

“PDK do të jetë në Kuvend si gardiane e Kushtetutës”, theksoi ai.

Ai tha se ekspozeja e Kurtit ka shumë premtime, nuk ka bazë nga do të financohet.

Hamza tha se PDK do ta mbështesë çdo iniciativë në të mirë të shtetit.

Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hamza tha se kjo çështje kërkon mbështetje të përbashkët dhe theksoi se PDK do të kontribuojë në betejën për drejtësi dhe të vërtetë. Ai ftoi qytetarët  dhe tërë spektrion politike të marrin pjesë në marshin e 17 shkurtit.

Hamza po ashtu theksoi nevojën për konsensus të gjerë politik për çështje të rëndësishme, përfshirë zgjedhjen e presidentit dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

“Përkrahjen tonë për gjetjen e konsensusit mos e shihni si shenjë dobësie. Si partia më e madhe opozitare, ne do të japim kontributin tonë në arritjen e marrëveshjeve në të mirë të Kosovës”, deklaroi ai.

Ai e cilësoi fillimin e kësaj legjislature si nder dhe përgjegjësi të madhe, në një moment kur qytetarët presin stabilitet, zhvillim ekonomik dhe institucione me integritet.

Hamza shtoi se deputetët e PDK-së do të kontribuojnë përmes politikave të përgjegjshme ekonomike, mbështetjes së sektorit privat, rritjes së mirëqenies sociale dhe forcimit të diplomacisë, me theks në rikthimin e besimit me aleatët ndërkombëtarë.

Sipas tij, PDK do të jetë në ballë të ruajtjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë, duke synuar ngritjen e standardit të jetesës për të gjithë qytetarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco