Syri.net zbulon: Albulena Haxhiu, sërish emri kryesor për kryetare të Kuvendit

Syri.net zbulon: Albulena Haxhiu, sërish emri kryesor për kryetare të Kuvendit

16:04, 11/02/2026

Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që Albulena Haxhiu të jetë kandidatja e tyre për kryetare të Kuvendit të Kosovës, mëson Syri.net nga burime brenda VV-së. Emri i saj pritet të formalizohet sot, në seancën konstituive të legjislaturës së re.

Sipas burimeve të Syri.net, kjo kandidaturë është pjesë e marrëveshjes politike për ndarjen e posteve udhëheqëse në institucionet e reja, në kuadër të formimit të Qeverisë Kurti 3.

Haxhiu aktualisht ushtron detyrën e nënkryetares në detyrë të Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur për 54 herë radhazi dështoi të zgjidhet kryetare e Kuvendit, duke u zëvendësuar më pas nga Dimal Basha. Megjithatë, sipas burimeve, ajo nuk është tërhequr asnjëherë nga ambicia për t’u bërë e para e Kuvendit, dhe tashmë po rikthehet fuqishëm në garë.

Albulena Haxhiu konsiderohet një nga figurat më të spikatura të Lëvizjes Vetëvendosje, me përvojë disa vjeçare në Kuvend dhe në ekzekutiv, duke qenë një nga bashkëpunëtoret më të afërta të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Zgjedhja e kryetarit apo kryetares së Kuvendit është një nga pikat kyçe të rendit të ditës së seancës konstituive, pas së cilës pritet të hapet rruga për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco