Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar lidhur me rastin e dhunës të raportuar në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, duke theksuar se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.
Ajo ka theksuar se shkollat duhet të jenë hapësira të sigurta për nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa dhuna cenon sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e gjithë komunitetit shkollor, përfshirë stafin dhe prindërit.
Nagavci ka deklaruar se përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve është e përbashkët mes shkollës dhe prindërve, duke kërkuar bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës.
Ajo ka rikujtuar se Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës, ndërsa shkollat kanë obligim që çdo rast dhune ta trajtojnë me seriozitet dhe ta raportojnë.
Nagavci ka bërë të ditur se pas raportimeve mediatike, Inspektorati i Arsimit ka dalë në terren dhe ka realizuar inspektim në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet përkatëse, duke paralajmëruar se gjetjet do të trajtohen pa kompromis dhe do të pasohen me veprime konkrete, ndërsa Ministria e Arsimit mbetet e përkushtuar për parandalimin e dhunës dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në shkolla.
© SYRI.net