KQZ certifikon rezultatet e 28 dhjetorit, hapet rruga për seancën konstituive

KQZ certifikon rezultatet e 28 dhjetorit, hapet rruga për seancën konstituive

18:13, 09/02/2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, 43 ditë pas mbajtjes së tyre.

Certifikimi u bë me 11 vota për.

VV ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, LDK 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa AAK 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Certifikimi i zgjedhjeve u vonua pasi KQZ mori vendim për rinumërim total të votave, pas dyshimeve për manipulim.

Qindra komisionerë u arrestuan nën dyshimin për manipulimin e votave. Shtatë Prokuroritë Themelore të Kosovës kanë autorizuar Policinë për hetimin e tyre.

Hapi i radhës tash është thirrja e seancës konstituive.

Seanca duhet të mbahet brenda 30 ditësh dhe duhet të thirret nga Presidentja Vjosa Osmani, por në rast se ajo nuk e thërret seancën, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30’të.

Përgatitja për seancën konstituive është përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës paraprake, në këtë rast Dimal Bashës.

Ai duhet të zhvillojë një takim të përbashkët me krerët e subjekteve politike parlamentare, jo më vonë se pesë ditë para seancës, për të përgatitur rendin e ditës dhe për të caktuar vendet e deputetëve në Kuvendin e ri.

Rregullorja përcakton se seanca konstituive ka katër pika të rendit të ditës: formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe atë të nënkryetarëve./Reporteri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco