Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në shkollën fillore “Pavarësia” në Prishtinë, ku është raportuar për dhunë fizike brenda ambientit shkollor.
Fillimisht në publik u tha se mësimdhënësi kishte ushtruar dhunë ndaj një nxënësi. Por sipas psikologut të shkollës, Nazim Mahmuti, ngjarja ka ndodhur ndryshe nga ajo që u raportua në fillim.
Mahmuti ka deklaruar për Syri.net Kosova dhe Syri Televizion se mësimdhënësi është sulmuar nga rreth 10 nxënës. Sipas tij, nxënësit kanë hyrë me qëllim në sallën e arsimtarëve, pasi aty nuk ka kamera sigurie. Ai thotë se nxënësit kanë incizuar vetëm momentin e fundit, kur mësimdhënësi shihet duke e goditur njërin prej tyre, duke lënë jashtë pamjet e sulmit paraprak.
Psikologu ka sqaruar se nxënësi me inicialet A.O. nuk është nxënës i mësimdhënësit në fjalë dhe se ndaj tij janë marrë më herët disa masa disiplinore.
Ndërkohë, disa nxënës të klasës së gjashtë kanë deklaruar për Syri se mësimdhënësi i përfshirë në rast njihet si një nga arsimtarët më të sjellshëm në këtë shkollë.
Nga Policia e Kosovës është konfirmuar për Syri Kosova se rasti tashmë është duke u hetuar dhe se të gjitha rrethanat do të sqarohen nga organet kompetente.
Ngjarja ka hapur sërish debatin për sigurinë në shkolla dhe përdorimin selektiv të videove në rrjete sociale.
© SYRI.net