30 ditë paraburgim për deçanasin që goditi me sëpatë babanë e tij, fillimisht dërgohet në Psikiatri

30 ditë paraburgim për deçanasin që goditi me sëpatë babanë e tij, fillimisht dërgohet në Psikiatri

21:14, 06/02/2026

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit K.M., i cili e goditi me sëpatë babanë e tij, mbrëmë në Isniq të Deçanit.

Supas njoftimit të Gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Musë Povataj, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.

Sipas njoftimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të paraparë në nenin 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Masa e paraburgimit është caktuar në përputhje me kushtet ligjore të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

“Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri K.M. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa paraburgimi është caktuar mbi bazën e kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Paraburgimi i është caktuar nga data 6 shkurt 2026, në ora 04:00, dhe do të zgjasë deri më 6 mars 2026. Fillimisht, masa do të zbatohet në Repartin e Psikiatrisë në Pejë, për aq kohë sa vlerësohet e nevojshme për trajtim shëndetësor, ndërsa pas përfundimit të trajtimit, i pandehuri do të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco