Kuçi: Propaganda serbe po humb kontrollin, manipulimi kundër Kosovës po intensifikohet

Kuçi: Propaganda serbe po humb kontrollin, manipulimi kundër Kosovës po intensifikohet

11:50, 03/02/2026

Analisti Gurakuqi Kuçi nga Instituti për Studimet e Luftës Hibride “Octopus” ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, fushatës së vazhdueshme propagandistike të Serbisë kundër Kosovës, duke theksuar se Beogradi zyrtar po përpiqet të lidhë çdo zhvillim global me interesat serbe dhe çështjen e Kosovës.

Sipas Kuçit, Venezuela, Grenlanda dhe Somalilandi janë tri krahasimet e para që Serbia ka përdorur këtë vit për ta kundërshtuar shtetësinë e Kosovës, duke dëshmuar një strategji të qëllimshme dezinformimi dhe manipulimi të opinionit publik.

“Çdo ngjarje që ndodh në botë, sipas propagandës serbe, lidhet me serbët dhe Kosovën. Duhet të kujtojmë faktin se Serbia i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në OKB përgjigje mbi të drejtën e shpalljes së pavarësisë nga Kosova. GJND i dha një përgjigje, por për shtetin dhe regjimet serbe, e vërteta është vetëm ajo që u konvenon atyre”, ka shkruar Kuçi.

Ai thekson se mohimi i fakteve dhe rishkrimi i realitetit është tashmë tipar i thellë i politikës dhe propagandës shtetërore serbe.

“Nga aspekti psikologjik, njerëzit që refuzojnë faktet edhe kur ato janë të dukshme quhen mohues, deluzionistë dhe në disonancë kognitive. Ndërsa nga aspekti sociologjik e politik, ata që e dinë realitetin dhe e mohojnë për interesa ideologjike quhen revizionistë të realitetit dhe propagandistë”, thekson ai.

Kuçi kritikon edhe përdorimin e videove propagandistike me filma vizatimorë, ku, sipas tij, propaganda serbe e paraqet botën si të paditur dhe serbët si të vetmit “të ditur”.

“Në këtë video, propaganda serbe shfaq botën si kafshë nëpërmjet pinguinit, pra si të padijshëm, dhe me figurën e njeriut shfaq serbët si të dijshëm që po i mësojnë të tjerët. Kjo tregon se kanë filluar të humbin edhe kontrollin mbi vetveten”, shkruan ai.

Duke cituar akademikun serb Dobrica Qosiç, Kuçi rikujton se:

“Gënjeshtra është formë e patriotizmit serb”.

Në fund, ai u bën thirrje qytetarëve të Serbisë që të mos bien pre e kësaj propagande:

“Në Serbi ka ende njerëz që ruajnë arsyeshmërinë, por nëse nuk e shpëtoni shpejt Serbinë nga kjo ngulfatje, do fundoseni edhe ju me të. Andaj, shpëtojeni Serbinë nga vetvetja”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco