Kostoja e jetesës/ Prishtina radhitet si kryeqyteti më i lirë në Evropë

Kostoja e jetesës/ Prishtina radhitet si kryeqyteti më i lirë në Evropë

10:16, 03/02/2026

Shifrat e fundit mbi koston e jetesës tregojnë dallime të mëdha mes qyteteve të ndryshme në botë, duke marrë si pikë referimi Nju Jorkun. Sipas indeksit krahasues, kur një qytet ka vlerën 80 në indeks, kjo nënkupton se ai është 20 për qind më i lirë se Nju Jorku. Ndërkaq, një indeks me vlerë 120 tregon se qyteti është 20 për qind më i shtrenjtë se metropoli amerikan.

Në këtë krahasim, Prishtina rezulton të jetë dukshëm më e lirë se Nju Jorku për sa i përket çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Kostoja më e ulët e jetesës përfshin qiratë, ushqimin, transportin dhe shërbime të tjera të përditshme, duke e bërë kryeqytetin e Kosovës më të përballueshëm në aspektin nominal.

Megjithatë, përkundër çmimeve më të ulëta, fuqia blerëse mesatare e qytetarëve në Prishtinë mbetet e kufizuar. Të dhënat tregojnë se banorët e Prishtinës mund të blejnë rreth 35 për qind më pak mallra dhe shërbime krahasuar me banorët e Nju Jorkut. Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me nivelin e të ardhurave, i cili është ndjeshëm më i ulët.

Ekspertët gjithmonë kanë theksuar se kostoja e jetesës nuk duhet të analizohet e ndarë nga të ardhurat mesatare. Edhe pse një qytet mund të duket më i lirë në letër, standardi real i jetesës përcaktohet nga raporti mes çmimeve dhe fuqisë blerëse së qytetarëve.

Ky krahasim nxjerr në pah sfidat ekonomike me të cilat përballen qytetarët në vendet me të ardhura më të ulëta, duke treguar se çmimet më të lira nuk garantojnë domosdoshmërisht një standard më të lartë jetese./ REL

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco