Gjykata Themelore në Gjakovë, në dy seanca të ndara dëgjimore, të mbajtura dje, njëra në ora 18:30 ndërsa tjetra në ora 21:55, sot ka nxjerrë vendim duke aprovuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesëmbëdhjetë (15) personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Sulltan Dobraj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi ekziston rreziku real që, nëse gjenden në liri, të njëjtit mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vepër penale me peshë të rëndë. Me këtë vendim, të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, kohë kjo që do të llogaritet nga dita e arrestimit të tyre e deri me 28 shkurt 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Në konferencë për media të mërkurën, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi bëri të ditur se janë më shumë se 17 mijë vota që ose u janë shtuar ose u janë hequr kandidatëve.
“Në komunën e Malishevës gjithsej kanë qenë 75 vendvotime, dhe nga këto vendvotime 9 mijë e 57 vota janë të shtuara dhe 7 mijë 996 janë vota të hequra, pra në total janë 17 mijë e 53 vota”, tha ai.
“Për të gjithë të lartcekurit është incicuar rasti “Falsifikim i rezultatit të votimit”, në ndërkohë që kurdo që ka prova për vepra tjera penale sigurisht që prokuroria do të veprojë”, shtoi Gashi.
© SYRI.net