Prokuroria Themelore e Gjakovës dhe Policia e Kosovës kanë dalë me komunikatë të përbashkët rreth aksionit që u zhvillua sot në Malishevë lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore.
Në komunikatë bëhet e ditur se janë intervistuar 58 persona, prej të cilëve 15 kryesues dhe 43 komisionerë, të cilët dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit.
Komisionerët janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre është paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit, teksa komisionerët do të hetohen në procedurë të rregullt, shkruan Reporteri.net.
“Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 15 (pesëmbëdhjetë) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente. Ndërkaq, pas grumbullimit të provave relevante, intervistimit të tyre, 43 (dyzet e tre) komisionerët do të hetohen në procedurë të rregullt, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi”, thuhet në komunikatë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka thënë në konferencën e sotme se janë më shumë se 17 mijë vota që ose u janë shtuar ose u janë hequr kandidatëve.
“Në komunën e Malishevës gjithsej kanë qenë 75 vendvotime, dhe nga këto vendvotime 9 mijë e 57 vota janë të shtuara dhe 7 mijë 996 janë vota të hequra, pra në total janë 17 mijë e 53 vota”, tha ai.
“Për të gjithë të lartcekurit është incicuar rasti “Falsifikim i rezultatit të votimit”, në ndërkohë që kurdo që ka prova për vepra tjera penale sigurisht që prokuroria do të veprojë”, shtoi Gashi./
© SYRI.net