KQZ: Rinumërohen 65 për qind e vendvotimeve

KQZ: Rinumërohen 65 për qind e vendvotimeve

19:44, 25/01/2026

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 65 për qind e vendvotimeve. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi që tha se janë rinumëruar 1,662 vendvotime nga 2,557 sa do t’i nënshtrohen këtij procesi riunumërues me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 25 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 65% apo 1,662 nga 2,557 vendvotime”, ka deklaruar Elezi.

Elezi, dje ka thënë për Reporteri.net se përfundimi i këtij procesi do t’i hap rrugën KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës në vazhdim”, ka deklaruar Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që në rinumërim të shkojnë të gjitha vendvotimet në nivel vendi pasi u evidentuan manipulime me vota të kandidatëve.

Nën dyshimet për këtë vepër penale sot i është caktuar masa e paraburgimit 23 personave që ishin në mesin e 109 të ndaluarve në Prizren, pas aksionit të Prokurorisë Themelore atje, lidhur me dyshimet për falsifikim rezultatesh.

Prokuroria e Shtetit ka kërkuar mbledhje informatash e provash nga Prokuroritë Themelore në mbarë vendin për të parë nëse ka elemente të kryerjes së kësaj vepre penale e sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco